Në gjykatën e Old Bailey të Britanisë së Madhe prej muajsh vijon gjyqi ndaj shqiptarit Arben Rexha, i cili Janarin e shkuar vrau bashkëshorten e tij Elidona Demiraj.

Në Shtator të këtij viti, 32-vjeçari pranoi se e kishte vrarë bashkëshorten e tij 25-vjeçare duke i prerë fytin. Këtë javë, mediat britanike kanë publikuar detaje nga gjyqi që po zhvillohet ndaj shqiptarit në këtë vend. Kështu, në një artikull të sajin “Metro” shkruan se para gjykatës, Rexha ka pranuar se e ka vrarë Elidonën sepse mendonte se ajo po gënjente se kishte qenë e virgjër kur u njohën.  

Ngjarja e rëndë ndodhi në Graham Street, Islington dhe sulmi ndaj të resë ishte kaq brutal sa 32-vjeçari thuajse ia shkëputi kokën nga trupi. Ajo kishte vetëm 3 muaj që kishte shkuar në Britani dhe punonte në një qendër për punësimin.

Rexha, shkruan më tej britanikja “Metro”, ishte fiksuar se Demiraj kishte pasur partnerë të mëparshëm dhe ishte bindur se ajo kishte pasur edhe një abort nga një lidhje e mëparshme.

“Ajo kishte shkuar me të, ishin të martuar dhe jetonin bashkë. Ishte një martesë me mblesëri, ndaj dhe ajo kishte ardhur këtu”,

deklaroi prokurori Richard Christie.

Ai tha se në kohën e ngjarjes, çifti kishte 12 javë që jetonin bashkë.

Në ditët përpara se të ndodhte vrasja, Elidona kishte qëndruar me disa miq në Luton pasi kishin pasur një zënkë. Por Rexha kishte shkuar për ta takuar dhe ishte kthyer bashkë me të.

Hetuesi shpjegoi se ai besonte që e reja po dilte me dikë tjetër dhe ishte bërë xheloz.

Vetë Rexha i tha policisë se ishte bërë i fiksuar për lidhjet e mëparshme të Elidonës dhe dyshimeve se ajo kishte pasur një abort. Ai u tha gjithashtu oficerëve se kishte menduar se ajo ishte përdhunuar nga një person.

“Ai u fiksua kaq shumë pas virgjërisë së saj, sa u fut në internet për të gjetur informacion sesi mund të dallosh nëse dikush është i virgjër”,

shpjegoi më tej prokurori Christie.

Elidona Demiraj, vetëm 25-vjeçe u gjet e pajetë në shtratin martesor të çiftit me disa plagë në qafë e krahë, më 31 Janar të 2016-ës. Dënimi për Arben Rexhën do të jepet më 2 Shkurt, pasi të jenë kryer edhe testet e vlerësimit të shëndetit të tij mendor.//tvklan.al