Banka e Shqipërisë thotë se ecuria e kredisë ka qenë e dobët edhe në tremujorin e fundit të 2015.

Në raportin e Politikës Monetare thuhet se kjo ecuri vjen si për shkak të kërkesës së dobët nga ana e bizneseve dhe individëve por edhe për shkak të ofertave nga bankat. Këto të fundit janë bërë më shtrënguese në dhënien e kredisë për shkak edhe të numri të lartë të kredive me probleme, që zotërojnë në bilancet e tyre.

Për vitin 2016, Banka e Shqipërisë thotë se pret një rritje më të lartë të kreditimit. Këtë pritshmëri, banka e lidh me ndikimin që pritet të japë plani i masave për zgjidhjen e problemit të kredive të këqija, të cilat do të çlirojnë bankat në kredidhënie.

Bankat presin gjallërim më të madh të kërkesës për kredi nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, gjatë tremujorit të parë të vitit.

Për individët, bankat shprehen se standardet e kredisë do të vijojnë të lehtësohen, si për financimin e blerjes së banesës, ashtu edhe për kredinë konsumatore.

Tv Klan