Një turiste e huaj mbeti e vdekur sepse një mjet uji e goditi teksa lahej në plazhet e Ksamilit, por mijëra pushues të tjerë, ashtu si 15 – vjeçarja ruse, rrezikojnë çdo ditë nga motorët e ujit, që bëjnë xhiro me shpejtësi marramendëse mbi kokat e pushuesve, pa u shqetësuar nga askush.

Qeveria dështoi edhe këtë vit të disiplinojë këto mjete të rrezikshme që janë shqetësim dhe rrezik për jetën e mijëra pushuesve që frekuentojnë plazhet shqiptare. Këto pamje që po shihni janë filmuar sot në plazhet e Dhërmiut dhe Drimades.

Edhe pse në të gjithë plazhin e jugut, nga Velipoja në Sarandë, nuk ka asnjë vend të lirë në hotel dhe nuk gjen asnjë vend të lirë në shezllone, pasi janë plot e përplot me turistë, policia shqiptare është inekzistente. Edhe pse për përdorimin e motorëve të ujit janë të përcaktuar rregulla, se ku duhet dhe si duhet të lëvizin në det, në të gjitha këto plazhe me dhjetëra mijëra pushues nuk gjen qoftë edhe një polic të vetëm, që të monitorojë ashtu siç duhet zbatimin e këtyre rregullave, që janë thelbësore për të garantuar jetën.

Një pushues shprehet se ndihet shumë i rrezikuar dhe se

: “Duhet të ketë roje, duhet të ketë edhe polici biles këtu”

.

“Duhet të kesh tabelën këtu që ta dish nga të futesh nga të mos futesh, sepse të kap motori e të dëmton”,

shton një tjetër.

Në çdo vend të botës ka zonat ku duhet të lëvizin motorët e ujit, por në Shqipëri jo vetëm mungojnë shenjat, por këto mjete nisen që nga bregu i detit me shpejtësi. Ekziston dhe një vendim i Këshillit të Ministrave që përcakton rregulla, por ky vendim nuk zbatohet nga organet shtetërore dhe policia, çka përbën një provë që policia ka dështuar në betejën për të siguruar jetën nga këto mjete.

Pushuesit shqiptarë i shohin këto motorë të ujit çdo ditë t’u rrezikojnë jetën, por ndihen të pafuqishëm e të pambrojtur, sepse policia që e ka për detyrë t’i mbrojë nuk ekziston.

Një pushuese tregon se fatkeqësia mund të ndodhë shumë lehtë, duke u shprehur:

“Motorët e ujit i ke ngado, varkat ngado, kështu që në momentin e parë të mundshëm mund të ndodhë një fatkeqësi”.

Ndërsa një tjetër thotë:

“Në rrezik jemi, si s’jemi në rrezik? Duhet të marrë masa qeveria”.

Ashtu si pushuesja ruse, nga këta persona të papërgjegjshëm që përdorin motorët e ujit në pjesën ku lahen pushuesit rrezikojnë jetën edhe të tjerë turistë, vendas apo të huaj, sepse inekzistenca e shtetit dhe e forcave të policisë i bën plazhet shqiptare si të jenë xhungël, ku mbizotëron logjika e më të fortit dhe jo rregulli.

Policia e Shtetit shfaqet në këto plazhe vetëm natën, kur shkon para dyerve të lokaleve për të kërkuar ndonjë pesë mijë lekësh gjoja për të ulur volumin e lartë të muzikës.

Edi Rama shkarkoi brenda natës drejtorin e ALUIZNI -t të Beratit se nuk i kishte legalizuar shtëpinë një të moshuare, por nuk merr asnjë masë ndaj Drejtorit të Policisë së Vlorës, apo shefit të Komisariatit të Sarandës, për jetën e humbur të turistes ruse, pasi gjithkush mund ta kuptojë se kush është më e rëndësishme, jeta e turistëve që rrezikohet ngaqë policia nuk bën detyrën, apo legalizimi i të moshuarës së Beratit.

Tv Klan