gent sejkoGuvernatoi i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka folur për herë të parë lidhur me parashikimet e rritjes ekonomike në Shqipëri për vitin 2015 – të.  Sipas Sejkos dëmet e shkaktuara nga përmbytjet gjatë javëve që lamë pas, kanë bërë që parashikimet për rritjen ekonomike në vend nga Banka Qendrore të jenë më të ulta se pritej.

Gent Sejko – Guvernator i BSH: “Ndonëse në rritje, parashikimet tona sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në vend do të mbetet nën nivelin e tij potencial edhe gjatë vitit 2015, duke diktuar një shfrytëzim jo të plotë të kapaciteteve prodhuese. Këto kapacitete të pashfrytëzuara ilustrohen nga nivelet relativisht të larta të papunësisë dhe reflektohen në presione të ulëta për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit.”

Një tjetër faktor që do të ndikojë në ritmet e ulëta të ekonomisë sipas Sejkos janë dhe politikat shtrënguese të bankave sa i përket kreditimit të biznesit, ndonëse në 2014 financimi i sektorit privat njohu një rritje prej 4 për qind.

 Gent Sejko – Guvernator i BSH: “Zgjerimi i kredisë mbetet ende i ulët, si pasojë e kërkesës të brishtë për kredi dhe e politikave konservatore të bankave në kredidhënie. Banka e Shqipërisë vlerëson se tregjet dhe agjentët financiarë kanë bilance të shëndosha dhe likuide, por ata vazhdojnë të karakterizohen nga një kujdes i shtuar në ndërmarrjen e investimeve afatgjata.”

Në njoftimin pas mbledhjes Këshilli Mbikqyrës e vë theksin tek faktorët e rrezikut për inflacionin që vijon të jetë nën objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Tv Klan