Analizimi i 5 lloje ushqimesh, produkte vendi dhe importi, ka konfirmuar cilësinë e dobët dhe rrezikshmërinë për konsumatorët. Sipas studimit të Shoqatës së Prodhuesve Ushqimorë në vend, problemet më të mëdha u evidentuan tek mishi dhe nënproduktet e tij, ku 15 % e produkteve të analizuara rezultuan me ngarkesë të lartë mikrobiale ndërsa 20% e mishit, kryesisht e produkteve të sallamit, rezultoi me ngjyrues, që shërben për ta bërë mishin të duket sa më i freskët. Kreu i Shoqatës së Industrisë Ushqimore Shqiptare, Alban Zusi, thotë se përmbajtje të dëmshme për shëndetin e njeriut janë konstatuar edhe tek produktet e qumështit, vaji i ullirit dhe gjalpi.

“Nga 8 produkte dhe nënprodukte të qumështit, dy prej tyre (25 %) rezultuan me aflatoksinë. Përsa i përket vajrave të analizuar, parametrat e tyre rezultuan brenda normave për 80% të tyre. Për një nga vajrat e ullirit të testuara, rezultoi se parametrat e tij nuk përputhen me ato të vajit të ullirit, ekzaminimi spektrofotometrik dhe metilet e jashtme të acideve yndyrore rezultuan jashtë normave. Një nga produktet e gjalpit me sasi të acidit oleic më të lartë se normat e lejuara”.

Nisur nga gjetjet e konstatuara, sa i përket mungesës së sigurisë ushqimore në vend, Alban Zusi kërkon nga qeveria ashpërsim të ligjit deri në  dënimin me burg për ata që shkelin standardet e sigurisë ushqimore dhe rrezikojnë jetën e konsumatorit.

“Jo ndjekje penale vetëm në rastin kur ndodh dëmi në njerëz nga siguria ushqimore, por edhe në rastet kur konstatohet një produkt i rrezikshëm në treg duhet të ndëshkohet personi, sepse ai produkt do të rrezikonte jetën e qytetarit”.

Zusi thotë se është nevojë urgjente vlerësimi Kombëtar i Riskut të Sigurisë Ushqimore, pasi ende nuk janë identifikuar produktet më risk.

Ai sugjeron që Ministria e Bujqësisë të ngrejë një organizëm këshillimor, ku aktorë të ndryshëm, si operatorë në fushën e agrobiznesit, agropërpunimit, shoqërisë civile dhe qytetarë të kontribuojnë në identifikimin e problemeve të sigurisë ushqimore. Sipas tij, do të duhet të sanksionohet me ligj që çdo prodhues ushqimor të ketë teknolog që të konfirmojë standardin e produktit.

Klan Plus