Peshku zjarr, një krijesë tropikale me gjemba helmues dhe pickim të dhimbshëm, që mund të çojë në deri në vdekjen e një njeriu, po përhapet në ujërat e Mesdheut. Paralajmërimi vjen nga një grup ekspertësh, sipas të cilëve, peshku është parë në ujërat e Turqisë dhe Qipros, në pjesën lindore të Mesdheut.

Ky peshk grabitqar dhe agresiv, i njohur gjerësisht si peshku luan, gjendet kryesisht në Paqësorin Jugor dhe Oqeanin Indian.

Maria del mar Otero, nga Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (UICN), sipas “DailyMail”, u shpreh se prezenca e këtij peshku është tepër shqetësuese.

Çpimi nga gjembat e tij në raste të rralla është fatal për njerëzit, por mund të shkaktojë dhimbje të tmerrshme, të vjella dhe paralizë të frymëmarrjes.

Ambientalistët i druhen faktit se mbërritja e këtij peshku në Mesdhe mund të dëmtojë peshqit e tjerë, duke sjellë pasoja për pjesën tjetër të botës nënujore.

Biologu Carlos Jimenez, nga Instituti i Qipros tha se kjo specie mund të ketë një impakt tepër negativ në ekosistem, ashtu sikurse edhe në ekonominë e zonave përreth.

Pavarësisht ngjyrave tepër të dallueshme dhe lëvizjes së ngadaltë, as peshkaqenët nuk guxojnë t’i afrohen peshkut luan, duke i dhënë kështu lirshmëri për të zhdukur specie të tëra peshqish që zakonisht mbajnë nën kontroll algat.

Kjo mund të tërheqë edhe specie të tjera agresive dhe grabitqare, për shkak të dobësimit të flora dhe faunës së zonës,

tha Jimenez.

turqi

Ky peshk grabitqar shkaktoi dëme të mëdha ambientale kur “pushtoi” ujërat e Karaibeve.

Peshku luan u zbulua për herë të parë në 2007 – ën në Kubë dhe brenda 2 viteve, ata u bënë të zakonshëm në ujërat e ishullit. Kjo detyroi edhe Bashkësinë e Shteteve të Karaibeve që të organizonin një samit, për të diskutuar rreth mënyrave për të parandaluar përhapjen e këtij peshku.

Kuba, Kolumbia dhe Bahamas kanë inkurajuar njerëzit që t’i hanë këta peshq, për të zvogëluar sa më shumë numrin e tyre.

Hera e parë që peshku luan u pa në ujërat e Mesdheut ishte në 1991 në Izrael./tvklan.al

Burimi: Daily Mail