Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni vlerësojnë se presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, duhet t`ia ndajë në një afat sa më të shkurtër kohor, mandatin për formimin e qeverisë, Zoran Zaevit, lider i Lidhjes Social- Demokrate të Maqedonisë. Zaev arriti t’i sigurojë nënshkrimet e deputetëve që përbëjnë shumicën parlamentare, në të kundërtën çdo taktizim do të thellonte krizën politike duke kërcënuar madje dhe sigurinë e vendit.

Temellko Ristevski nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore në Universitetin “FON”, të Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se praktika e deritashme ka dëshmuar se veprimet e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, kanë qenë në shërbim të interesave të VMRO DPMNE-së, e cila drejtohet nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, dhe jo në shërbim të interesave të përgjithshme të Maqedonisë si shtet.

Ristevski, megjithatë, shpreson që kësaj radhe Ivanov nuk do të bëjë obstruksione në ndarjen e mandatit duke u thirrur në vendimin që mori më 2 shkurt se mandatin do t`ia ndajë atij që do t’i sigurojë nënshkrimet e 61 deputetëve, duke vendosur si kusht dhe platformën e mandatarit që nuk do të shkelë karakterin unitar të shtetit. Në një rast të tillë, Ivanov do të ishte shkelësi më i madh i Kushtetutës së Maqedonisë meqë platforma e mandatarit të qeverisë së re duhet të marrë vizë nga Parlamenti dhe jo nga presidenti me vlerësimin e programit.

“Nëse presidenti Ivanov vazhdon të vendosë si kusht përmbajtjen e platformës së mandatarit, atëherë ai do të bëjë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe do të shkaktojë më shumë komplikime në funksionimin e shtetit. Megjithatë, unë shpresoj se presidenti i Ivanov, duke pasur parasysh situatën, në të cilën ndodhet vendi, me veprimet e tij nuk do ta zhytë edhe më shumë Maqedoninë në krizë. Madje, jam optimist se do t`ia ndajë mandatin liderit të Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev”, vlerëson Ristevski.

Ai shton se nëse Ivanov vendos të mos ia ndajë mandatin Zaevit kundrejt thirrjeve të faktorit ndërkombëtar që sa më parë të formohet qeveria e re e Maqedonisë, e cila do të ketë në fokus realizimin e reformave si dhe vendosjen e Maqedonisë si shtet në binarë të proceseve integruese, atëherë ai do të bëhet një president i izoluar në aspektin ndërkombëtar.

Por, sipas Mersel Bilallit, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nëse Gjorgje Ivanov si president i shtetit, nuk ia ndan mandatin Zaevit, i cili ka arritur të sigurojë shumicën parlamentare, atëherë deputetët mund të mblidhen në një seancë dhe ta zgjidhin këtë situatë.

“Realisht, në Kushtetutë nuk thuhet asgjë rreth mbledhjes së Parlamentit me vetë-iniciativë të deputetëve. Dorëzimi i mandatit nga ana e presidentit, është vetëm akt formal, pra Ivanovi nuk ka të drejtë të hyjë në shqyrtimin e programit qeveritar që përbën shumicën parlamentare ngase Maqedonia nuk është shtet me sistem presidencial”.

“Por, meqë kjo çështje nuk është e precizuar në Kushtetutë, atëherë në bazë të interpretimeve pozitive të dispozitave kushtetuese, Parlamenti mund të mblidhet me vetë-iniciativë dhe të hapë rrugë për nxjerrjen e vendit nga kriza”, konsideron Bilalli.

Ndërkaq, lideri i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev nënshkrimet e deputetëve, si garanci për sigurimin e shumicës parlamentare, do t’i dorëzojë të hënën në Presidencën e Maqedonisë, dhe më pas pritet të fillojnë negociatat me partitë për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.

Ndërkohë që dhe eurokomisionari për Zgjerim, Johannes Hahn, është shprehurse Bashkimi Evropian pret nga presidenti Gjorge Ivanov që t’i dorëzojë kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, mandatin për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë.

Burimi: REL