Tensionet në gadishullin korean kanë filluar të rriten pasi Koreja e Veriut përshpejtoi provat me raketa ndërkontinentale. Prova e muajit të kaluar e bombës me hidrogjen ka rezultuar në një raund të ri sanksionesh. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jela de Franceschi i hedh një vështrim situatës së tensionuar.

Sapo Donald Trump u bë president i Shteteve të Bashkuara, ai dërgoi Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis në rajon për të përcjellë mesazhin se politika e durimit strategjik me Korenë e Veriut kishte mbaruar.

“Se opsioni ushtarak do të rikthehet në tryezë, se politika jonë është thjesht kjo: të denuklearizohet plotësisht Korea e Veriut. Nëse ata nuk pajtohen, ne do të vazhdojmë me sanksione ekonomike, trysni maksimale, izolim të regjimit, dhe gjithashtu do të kemi një opsion ushtarak në tryezë si mjet të fundit” tha gjenerali Jack Keane.

Administrata e presidentit Trump ka sjellë me sukses sanksione të reja në OKB kundër regjimit të Koresë së Veriut. Por, ashtu si në të kaluarën, lëvizje të tilla kërkojnë ndihmë nga Pekini.

 “Arsyeja është e thjeshtë. Kina kontrollon 90 deri 95 për qind të ekonomisë koreane. Ata ndajnë kufi tokësor me Korenë e Veriut, kontrollojnë oqeanin dhe detin rreth vendit. Nëse ata dëshirojnë, Kina mund ta izolojë menjëherë Korenë e Veriut” thotë Adam James Stavridis, ish-komandant i NATOs.

Gjenerali Keane pajtohet që një zgjidhje diplomatike varet nga përfshirja e Kinës.

“Kina është krejtësisht bashkëfajtore në këtë rast. Ata toleruan Korenë e Veriut me armë bërthamore. Ata toleruan Korenë e Veriut me raketa balistike. Ata toleruan Korenë e Veriut duke zhvilluar rakete balistike ndërkontinentale” tha ai.

Pavarësisht dënimit të Kinës për aktivitetet më të fundit bërthamore dhe raketore të Phenianit, ajo shpreson të shmangë rrëzimin e regjimit të Koresë së Veriut dhe një fluks refugjatësh. Por disa ekspertë argumentojnë se, pa ndihmën e Kinës në zgjidhjen e problemit, Koreja e Jugut dhe Japonia janë në rrezik.

“Çfarë ndodh nëse Koreja e Jugut kërkon nga Shtetet e Bashkuara të kthejnë armë bërthamore në gadishullin korean, ose nëse thonë se kanë nevojë për programin e tyre bërthamor? Si mund t’i mohohet kjo atyre? Japonia tashmë ka riinterpretuar kushtetutën e saj për të lejuar vetëmbrojtje kolektive. Ku do të jetë fundi?” tha ish-drejtori i CIA-s David Petraues.

“Kina duhet të marrë vendime në të ardhmen e afërt. Unë shpresoj se ata do të zgjedhin të qëndrojnë me pjesën tjetër të botës dhe Shtetet e Bashkuara dhe të ndihmojnë me arritjen e një zgjidhjeje diplomatike” thotë ish-komandanti Stavridis.

Administrata Trump po shqyrton politikën e saj ndaj Kinës. Pritet të përfundohet para se presidenti të niset për udhëtimin e tij zyrtar në Azinë Lindore në Nëntor./VOA