Për herë të dytë brenda dhjetë ditësh, në shtëpinë e një agjenti të Policisë Kriminale të Komisariatit të Rinasit ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.

Lajmi bëhet i ditur nga policia e Shtetit, se në orët e para të mëngjesit të së hënës persona të paidentifikuar, aktivizuan një sasi eksplozivi në katin e dytë të banesës së Arben Kajmakut, në Fushë- Prezë. Ndryshe nga shpërthimi i parë këtë herë shpërthimi ka qenë më i dobët dhe se sasia e eksplozivit të hedhur ka qenë më e vogël.

Vetë agjenti i krimeve të policisë së Rinasit, i pyetur nga kolegët e tij, iu tha hetuesve se nuk ka ndonjë konflikt. Dyshimet e policisë janë drejtuar në disa pista si ajo e konflikti për motive pronësie, apo e atij për motive personale. Hetuesit kanë përjashtuar mundësinë e një konflikti të mundshëm për motive që lidhen me detyrën.

Ndërkaq vetë Kajmaku, por as persona të afërt të tij, nuk kanë pranuar të flasin për mediat në lidhje me ngjarjen e përsëritur.

 

Tv Klan