Eksportuesit shqiptarë kërkojnë marrjen e masave nga ana e qeverisë për të ndaluar rënien e monedhës euro.

Përmes një letre drejtuar kreut të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe për dijeni kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Sipërmarrjes Sonila Qato ata duan ngritjen e një grupi pune për analizimin e shkaqeve të zhvlerësimit të euros dhe evidentimin e masave që mund të merren nga ana e ekzekutivit për frenimin e rënies së saj.

c

Eksportuesit thonë se përgjatë kësaj kohe fenomeni i dobësimit të valutës së huaj ka prekur drejtpërdrejt fitimin e tyre duke nxjerrë kompanitë me humbje. Sipas vlerësimeve të tyre, ndryshimi i kursit të këmbimit valutor në 4 muajt e fundit është i papritur dhe shqetësues, ku nëse vijohet i njëjti trend ndërmarrjet prodhuese dhe eksportuese do të rezultojnë me përgjysmim të fitimit duke sjellë pasoja të rënda në ekonomi.

Ata sqarojnë se nëse nuk merren masa emergjente, kapaciteti konkurrues i prodhimeve “Made in Albania” është i rrezikuar, ndërsa thonë se me këtë situatë nuk mund të qëndrohet më në pasivitet nga ana e autoriteteve publike.

Gjatë ditëve të fundit monedha e përbashkët europiane arriti një nivel rekord në kursin e këmbimit valutor vendas, në nivelin e 126 lekëve.

Tv Klan