Deri më sot ishte mbajtur sekret ekzistenca e një kostumi popullor, i cili është veshur nga shenjtorja Nënë Tereza.

Kjo është dalja e parë e tij nga fondi i etnografisë. Për arsye sigurie dhe për të shënjuar 13 vjetorin e lumturimit të Nënë Terezës kostumi me motive nga Prizreni, qëndroi për pak orë në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar.

I përbërë nga këmisha e mëndafshtë, jeleku i qëndisur, shalli dhe dimitet, ky kostum, që i përket familjes së Nënë Terezës, mendohet se është veshur nga bamirësja shqiptare në moshën 16-17 vjeçare.

Ai përfundoi në fondin e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve nga bashkëshorti i sopranos Marie Kraja.

Për të ndihmuar financiarisht familjen e Nënë Terezës gjatë qëndrimit në Tiranë, ai ia shiti fondit të trashëgimisë kulturore. Etnografja Afërdita Onuzi është njohur me ekzistencën e tij në fillim të vitit 1991.

Kur mundësinë për ta parë nga afër këtë kostum e patën pak veta, pasi u ekspozua vetëm për gjashtë orë, Afërdita Onuzi nuk di të thotë kur do të jetë hera tjetër./ TV KLAN