spain

Partitë kryesore në Spanjë morën përgjigjen e parë të pakënaqësise popullore në zgjedhjet lokale, pasojë e krizës ekonomike dhe skandaleve të korrupsionit, duke e futur vendin në një epokë të re politike.

Njësoj siç ndodhi në Greqi me Sirizën e Cipras, në Spanjë ishin partitë e reja; “Podemos” dhe  “Ciudadanos”, që  kanë shënuar fitore.

“Podemos” apo “Mundemi” e ekstremit të majtë, e themeluar një vit më parë, do të drejtojë Barcelonën dhe shënoi fitore edhe në këshillin bashkiak të Madridit, që kalon majtas pas 24 vjetësh.

Udhëheqësi i “Podemos”, Pablo Iglesia tha se rezultati i së dielës është hapi i parë për të fituar zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Pas numërimit të thuajse të gjithë votave, Partia Popullore e Spanjës e Mariano Rahoi-t fitoi me 27 % të votave, por për herë të parë në këto 20 vjet humbi këshillin bashkiak të kryeqytetit.

Aktivistja Ada Koalu, e mbështetur nga “Podemos” fitoi shumicën e votavë në garën për Bashkinë e Barcelonës, qytetit të dytë më të madh në Spanjë.

Ajo u bë e njohur me fushatën në mbështetje të gjithë atyre që e kanë të pamundur të paguajnë hipotekën e shtëpisë dhe bankat u sekuestronin banesën. Aktualisht Spanja ka dalë nga recesionit por papunësia mbetet e lartë, një në katër punonjës janë të papunë.

Zgjedhjet për 8000 komuna dhe 13 parlamente rajonale konsiderohen gjerësisht si barometri i zgjedhjeve kombëtare në fund të këtij viti.

Tv Klan