Vrasësi i biznesmenit Dilaver Bojkut, i njohur ndryshe me nofkën Leku, vijon të mbetet në arrati. Sektori për Punët e Brendshme në Ohër njoftojnë se janë marrë masa intensive për kapjen e autorit, ndërkohë që konfirmojnë se ngjarja ka ndodhur në restorantin “Aqua Blu”, në pronësi të Bojkut.

“Në afërsi të tij është afruar tani për tani një person i panjohur, i cili në drejtim të kokës ka shtënë me pistoletë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Më pas personi në fjalë me vrap ka braktisur vendin e ngjarjes duke ikur në drejtim të rrugës “Partizanska”. Me qëllim të kapjes së autorit drejt tij janë nisur dy persona, por të njëjtit kanë hequr dorë nga qëllimi pasi kryerësi i vrasjes edhe drejt tyre ka gjuajtur dy predha” –

njoftojnë nga Sektori për Punë të Brendshme, Ohër, shkruan Alsat-m.

Dilaver Bojku u qëllua për vdekje pasditen e së hënës në plazhin e Strugës. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve biznesmeni ndërroi jetë.

Në vendngjarje është kryer ekspertizë nga Prokurori Publik i Prokurorisë Themelore të Strugës nën prezencën edhe të ekipeve policore. Sipas asaj që shkruan

“KlanKosova”

, me urdhër të prokurorit publik, mbi trupin e të ndjerit do të kryhet autopsia

.

Dilaver Bojku mori famë 15 vjet më parë si “bosi i prostitucionit në Ballkan”. Ai kishte qenë i dënuar me 3 vite e 8 muaj burg për akuzën e prostitucionit. Pas dhënies së vendimit Bojku ishte arratisur nga Maqedonia, për t’u ekstraduar më vonë nga Mali i Zi.

Ai ishte një personazh i njohur në fushën e krimit të organizuar në vitet ’90-të deri në fillim të viteve 2000, i specializuar për trafikimin e ashtuquajturave “skllave të bardha” dhe emigrantëve. Bojku sillte prostituta nga vendet e ish-Jugosllavisë dhe i trafikonte ato në vendet e Bashkimit Evropian.

Mediat maqedonase shkruajnë se vitet e fundit ai iu ishte futur biznesit të hoteleri – turizmit./tvklan.al