Një 24 – vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri orët e para të së premtes në Itali. Ngjarja e rëndë ndodhi përpara një lokali në Desio, provincë në Monza.

Sipas informacioneve të para të publikuara në mediat fqinje, i riu, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur është ekzekutuar me të paktën dy plumba pistolete rreth orës 02:00, përballë një lokali në Brianza.

Ai është dërguar me urgjencë në spital, ku dhe ka ndërruar jetë pasi nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.

Viktima mësohet se ndodhej në shoqërinë e një tjetër shqiptari, në momentin kur ndodhi ngjarja. Ka qenë pikërisht bashkëkombasi, i cili e ka dërguar atë në spital.

Sipas dëshmisë së tij, ata ndodheshin në makinë, kur një tjetër automjet iu afrua dhe nga ai zbriti një person, i cili qëlloi më pas në drejtim të 24 – vjeçarit dhe u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Deri në këto momente nuk ka të dhëna të tjera rreth kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur hetimet. Mediat shkruajnë se policia nuk ka ende një pistë hetimi, por dyshimet janë se mund të bëhet fjalë për larje hesapesh./tvklan.al