Dalja publike në krah të ministrit të Financave e ish-kryetarit të bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi i shkarkuar nga detyra për shkak të ligjit të dekriminalizmit ka ngjallur reagimin e  ashpër të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Ai e quajti  një skandal politik dhe dëshmi se Edi Rama e ka shumë të vështirë të ndahet nga krimi.  Elvis Rroshi u shfaq në një aktivitet të Partisë Socialiste në Kavajë në krah të ministrit Arben Ahmetaj, i cili u prezantua edhe si koordinator për zgjedhjet në këtë zonë.

“Gjithë strukturat e Partisë Socialiste të Qytetit të Kavajës…jemi mbledhur për të bërë një prezantim të deputetit tonë të ardhshëm, Ministrit Arben Ahmetaj,” tha Rroshi.

Ndërkohë Ministri Ahmetaj tha se “Kryetari së bashku me ju e ka bërë Kavajën një qytet bregdetar që tërheq realisht 40 për qind të turizmit të Republikës së Shqipërisë. Edhe për këtë ju përgëzoj, ju uroj, bravo ju qoftë!”  

Fill pas kësaj ngjarje kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi  se Edi Rama e ka bërë zero përpjekjen e mundimshme të opozitës e partnerëve ndërkombëtarë për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit./Tv Klan