162 emigrantët e parë nga Siria janë zhvendosur në qytezën greke të Konicës, në kufi me Shqipërinë. Sipas mediave greke, refugjatët janë strehuar në gjimnazin e qytetit. Autobusët janë pritur edhe nga kryetari i Komunës, drejtues vendor dhe përfaqësues të Kryqit të Kuq. Edhe banorët e zonës janë treguar mikpritës ndërsa në qendrën komunare të pritjes po verifikohen të dhënat e tyre.

Refugjatët do të strehohen në çadra ushtarake dhe fillimisht është thënë se do të qëndrojnë aty për një kohë të shkurtër. Mediat greke shkruajnë se brenda fundjavës do të bëhet transferimi i rreth 1 mijë emigrantëve.

Shqipëria shihet si rrugë e mundshme kalimi e tyre për në vendet e Europës, pas mbylljes së kurifit nga ana e Maqedonisë.

Më herët Kryeministri Rama ka deklaruar se vendi ynë nuk do t’i hapë dyert, por as do të ngrejë mure për refugjatët. Sakaq mediat e huaja raportojnë se edhe Bullgaria po planifikon ngritjen e një gardhi në kufirin me Greqinë, për të mos lejuar kalimin e refugjatëve.

Autoritetet bullgare njoftuan edhe shtimin e forcave ushtarake në kufi.

Ndërkohë pika kufitare e Idomenit është kthyer në një kamp të madh, ku mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme po përballen me kushtet tejet të vështira sanitare dhe mungesën e ushqimit.

Tv Klan