Referendumi i 23 Qershorit, që largoi Britaninë e Madhe nga Bashkimi Europian, ngjalli pakënaqësi dhe trishtim në Bruksel dhe tek vendet kryesore të bllokut, si Gjermania apo Franca.

Por ka edhe nga ata që i gëzohen Brexit.

Për emigrantët që jetojnë në kampin e refugjatëve në Kale’, rezultati i referendumit është një lajm i mirë, pasi autoritetet franceze nuk do t’i ndalojnë më të shkojnë në Britaninë e Madhe, përmes kanalit të La Manshit. Ata tentojnë thuajse çdo natë të udhëtojnë për në vendin ishullor, por shpesh kapen nga policia franceze.

Me daljen e Britanisë nga Unioni, Franca nuk do të ketë më asnjë detyrim të pengojë emigrantët të kalojnë La Manshin, përkundrazi, do të jetë e interesuar që ata të largohen.

Në një intervistë për rrjetin francez BFMTV, Kryebashkiakja e Kalesë, Natasha Bushar, tha se britanikët duhet të paguajnë pasojat e zgjedhjeve të tyre dhe njoftoi se marrëveshja për emigrantët që kërkojnë të arrijnë në Britani do të pezullohet.

Aktualisht në Kale’ ndodhen rreth 7 mijë emigrantë, pjesa më e madhe e tyre kanë si stacion të fundit Britaninë e Madhe.

Tv Klan