Ministri i jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Poposki tha se presioni mbi vendet e Ballkanit për çështjen e emigrantëve mund të ndezë konflikt mes vendeve fqinje.

Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Handelsblat” Poposki tha se:

“Sllovenia ia kthen emigrantët Kroacisë, Kroacia, Serbisë dhe Serbia Maqedonisë. Nëse shtohet presioni nga pjesa jugore e “rrugës së Ballkanit” mund të kemi konflikte serioze në Ballkan dhe kjo duhet të shmanget”.

Në një tjetër intervistë për emisionin e BBC-së “NewsNight”, Poposki mbrojti përdorimin e gazit lotësjellës nga forcat e rendit ndaj emigrantëve që hynë me forcë në Maqedoni  të hënën duke çarë gardhin e telave me gjemba. Ai e shpjegoi situatën e vështirë me mosfunksionimin e sistemit të rregjistrimit të azilkërkuesve dhe përballë kësaj tha ai, secili prej shteteve merr përgjegjesinë për territorin e tij.

Të mërkurën, presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk do të qendrojë në Shkup, një prej ndalesa të turit të tij në vendet, ku kalon e ashtuquajtura “rruga e Ballkanit”, me qëllimin për të sheshuar ndasitë përballë krizës më të rëndë të emigracionit.

Tv Klan