Tre vajza kanë ardhur sot në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” për t’i dhënë një mesazh vëllait të tyre, Roxhensit. Por në publik gjenden edhe prindërit e tyre, të cilët nuk janë në dijeni të kësaj surprize, ndaj edhe emocionohen.

Kristina, Alberta dhe Vojsava nga Pirgu i Korçës rrëfejnë rreth vështirësive ekonomike që ka patur familja e tyre, por që gjithmonë ia kanë dalë, edhe duke marrë borxhe, që ato të shkolloheshin. Ato i cilësojnë prindërit si heronj dhe shprehin mirënjohjen për ta, që me shumë sakrifica kanë rritur 7 fëmijë.

Motrat tregojnë që arsyeja se pse kanë ftuar vëllain e tyre 15 – vjeçar është se i ati i tyre e cilëson atë si trashëgimtarin e vetëm, duke u nisur nga zakoni që pasuria i ngelet djalit.

“Ne kemi ardhur sot këtu që t’i themi që e duam shumë, e kemi gjënë më të shtrenjtë që kemi në botë, por duam që ai të na premtojë që pasuria do të ndahet në 7 pjesë sepse ne jemi 7. Por sigurisht që kjo është një lojë.”

Nëna e tyre keqkupton ç’ka thanë vajzat dhe justifikohet me faktin se kur është diskutuar për trashëgiminë, ato nuk kanë kundërshtuar dhe tanimë dolën “të pabesa”.

Roxhensi pranon ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vjen në studion “E Diela Shqiptare”. Ai shfaq vlerësimin dhe dashurinë që ka për tre motrat dhe kur i shikon në ekranin e murit ndarës habitet dhe përlotet, duke thënë se nuk e mendonte se do të ishin të treja që do t’i bënin këtë surprizë.

Roxhensi

– E dija që do të ishte një nga motrat, por jo këto të treja sepse i kam patur më afër vetes, domethënë çdo ditë kemi qenë bashkë. Mendoja për ndonjë nga motrat që ka qenë largë, kishte ardhur këtu, por jo. Nuk di ç’të them.

Kristina – Tani babi thotë gjithmonë që trashëgimtarin e vetëm kam Roxhensin. Do t’ia lej atij të gjithë pasurinë, shtëpinë, të gjitha. Edhe kur ke qenë i vogël thojë: “shtëpia është e imja!”. Ne duam nga ty, përveçse të na thuash që na do shumë, se e dimë që na do shumë, të na premtosh që do ta ndajmë të gjithë bashkë. Të 7 fëmijët do marrim nga një pjesë nga shtëpia, nga prona e babit.

Roxhensi

– Nuk është një vendim që më takon mua, duhet pyetur babi në fillim.

Kristina – Ne mendimin e babit e dimë, por ne duam që të na premtosh ti. Që dhe babi po të thotë që do t’ia lejmë Roxhit pasurinë, ti të thuash që jo, do ta marrim të gjithë.

Roxhensi

Po nëqoftësi babi thotë që jua lej juve të gjithë pasurinë, do thoni ju jo, do të marrim pjesë të gjithë?

Të treja Po!

Kristina – Ne nuk duam të ta marrim ty pasurinë. Ne duam që ta marrim të gjithë.

Roxhensi

E mirë, të gjithë do marrin atë që mëritojnë dhe atë që iu takon në fund të fundit.

Kristina – Prapë nuk dëgjova “ju premtoj”!

Roxhensi

Ju premtoj!

Vojsava – U bëmë me shtëpi ne!

I pyetur nga Arditi se si e la kaq lehtë pasurinë, Roxhensi u përgjigj:

“Pasuria më e madhe nuk janë gjërat materiale, por familja. Ajo i jep të gjithë pasurinë njeriut”.

Motrat i rrëfejnë se e gjitha ishte një lojë, pasi pasurinë e meriton. Ata përqafohen dhe puthen, duke na treguar se familja vendoset gjithmonë para çdo gjëje!/

tvklan.al