Policia e Shkodrës ka zbardhur atentatin me tritol ndaj Lulzim Kullës më 13 Janar. Gjatë një operacioni të koduar “Together”, u arrestuan Endri Çopja 29 vjeç dhe Argel Lulaj 31 vjeç. Të dy akuzohen për vrasje në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim të pronës me eksploziv.

Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë hetimeve të ndjekura me metoda speciale dyshohet se janë autorë për ngjarjen në fjalë, ku mbetën të plagosur me lëndë plasëse 8 shtetas, ndër ta edhe Lulzim Kulla, i cili dyshohet se ishte objektiv i atentatit.

Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi Serxho Teta, 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa celulare, 4 automjete, 2 nga të cilat janë përdorur nga autorët ditën e ngjarjes, 6 000 euro, tre maska dhe fishekë luftarake.

/tvklan.al