Dy shqiptarë janë dënuar nga Gjykata e Leicesterit në Britani të Madhe pasi kishin krijuar një fabrikë droge në zonën e Loughborough.

Ata janë Resul Lita 23 vjeç dhe Andonis Lita 20 vjeç, kushërinj me njëri-tjetrin. Sipas mediave angleze, shqiptarët kishin kultivuar më shumë se 1 mijë bimë narkotike kanabis sativa, vlera e të cilave përllogaritet në rreth 770 mijë Euro, apo 500 mijë Euro vlera më e ulët.

Të dy pranuan fajin para gjykatës, e cila i dënoi me 3 vite e 8 muaj burg Resul Litën dhe 3 vite e 9 muaj burg kushëririn e tij Andonis Lita. Në përfundim të dënimit, ata do të deportohen në Shqipëri.          

Gjykata tha se Resul Lita ishte dënuar më parë me 15 muaj burg për posedim droge dhe vjedhje në vitin 2015. Pas dënimit u dëbua nga Mbretëria e Bashkuar, por u rikthye në mënyrë të paligjshme.

Kurse kushëriri i tij Andonis Lita mbërriti në Britani ilegalisht nga porti i Calais në Francë në muajin maj. Ai nuk ka dënime të mëparshme dhe shprehu pendesë para trupës gjykuese. Në përpjekje për një jetë më të mirë, të dy kushërinjtë filluan të kultivonin drogë në pamundësi për të bërë punë tjetër për shkak se nuk kishin dokumente, tha prokurori i çështjes.

Fabrika e drogës ishte e pajisur me ndriçim dhe objektet e tjera të nevojshme që duhen për mbjelljen e kanabisit. Sipas hetimeve, nuk rezulton që dy kushërinjtë Lita të kenë lidhje me persona të tjerë në këtë veprimtari kriminale.

/tvklan.al