Trafiku i kanabisit drejt Italisë ka shkaktuar furtunë në Policinë e Portit të Durrësit, si dhe doganat e Qafë-Thanës, Vorës e Durrësit.

18 policë dhe doganierë janë vënë në pranga me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. 11 prej tyre janë pjesë e Policisë dhe Doganës në Portin e Durrësit, ndër ta dhe Shefi i stacionit të Policisë Kufitare, Julian Doraci.

4 prej të ndaluarve janë doganierë dhe agjentë në Qafë-Thanë. Ndërsa në pranga kanë përfunduar dhe tre punonjës së Doganës së Tiranës.

Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, këta persona kanë lejuar kalimin e të paktën 10 toneve kanabis me kamion drejt Italisë në dy raste.

I pari lidhet me kapjen në Ankona, në 5 Shkurt të këtij viti të një kamioni me 8.8 ton kanabis, i futur në Shqipëri nga Maqedonia. Për të njëjtin hetim dy javë më parë u arrestuan 4 doganierë të tjerë të Qafë-Thanë. Ndërsa ngarkesa e dytë prej 2.2 ton kanabis u sekuestrua në 24 Mars në Itali.

Nga hetimi ka rezultuar se mes punonjësve të policisë dhe doganierëve kishte një formë të organizuar bashkëpunimi për kalimin e automjeteve me drogë nga Shqipëria në Itali.

Arrestimin e punonjësve të Policisë Kufitare dhe doganierëve e paralajmëroi pak ditë më parë Kryeprokurori Adriatik Llalla gjatë një takimi me drejtues të Prokurorisë së Durrësit.

Prokuroria ka zbardhur rolet dhe përgjegjësitë e çdo të arrestuari.

Në rastin e parë, ku u trafikuan 8 ton drogë, gjithçka ka nisur në Doganën e Qafë – Thanës, e cila ka bërë vulosjen e kamionit me dalje në Doganën e Hanit të Hotit në Shkodër. Por agjenti doganor, Maliq Kadilli në mënyrë të pashpjegueshme ka kërkuar ndryshimi i destinacionit të daljes për tek Dogana Durrës. Të dhënat në sistem janë ndryshuar nga doganieri Iliras Malia.

Më pas mjeti, ka mbërritur në Doganën e Durrësit ku është bërë vetëm kqyrja e dokumetacionit. Sipas ligjit doganor Dogana e Durrësit duhet ta kishte kaluar kamionin në skaner, pasi i ishte ndryshuar destinacioni dalës.

Në turn, në Portin e Durrësit kanë qenë 9 personat, të cilat janë arrestuar nga policia. Ndërsa për mënyrën se ku është ngarkuar ngarkesa e dytë me 2,2 ton drogë, Prokuroria nuk jep shumë detaje.

Burime të Televizionit Klan thonë se kamionin mund të jetë ngarkuar në Shqipërinë e Mesme dhe vulosja është bërë në Doganën e Tiranës. Të njëjtat burime sqaroje se, për këtë rast janë lëshuar të paktën dhe dy urdhër-arreste të tjera, të cilat ende nuk janë ekzekutuar./Tv Klan

*** 

Julian Doraci – Shef i Stacionit Policor, Porti Durrës

Njoftimi zyrtar i prokurorisë:

Në bazë të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda është urdhëruar arrestimi i një numri të lartë personash, ndër të cilët 10 punonjës policie në Portin e Durrësit, përfshirë edhe shefin e stacionit policor, si edhe 8 doganierë të Qafë-Thanës, Durrësit e Tiranës, të dyshuar se kanë siguruar kushtet për kalimin e dy ngarkesave të ndryshme, me peshë totale 10 ton kanabis sativa nga Shqipëria në Itali, në shkurt dhe mars 2017.

Për të gjithë këta persona, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se kanë konsumuar elementët e veprës penale të ”Trafikut të narkotikëve”, në bashkëpunim. Për këtë arsye, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurimit „arrest me burg”, të cilat u zbatuan nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, si edhe Policisë së Shtetit, për zbatim.

Ky hetim përfshin dy episode:

Rasti i parë, i ndodhur në datën 05.02.2017, kur në Itali u kap një kamion me 8 ton drogë, e cila kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia nëpërmjet pikës doganore Qafë-Thanë dhe ka dalë nga pika e kalimit kufitar në portin e Durrësit. Për këtë rast, para pak javësh u arrestuan edhe 4 punonjës policie të Qafë-Thanës.

Rasti i dytë ka ndodhur në datën 24.03.2017, kur në Itali u kap një kamion me shofer shqiptar,  me rreth 2.2 ton kanabis në bord.

Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të informacioneve të siguruara nga autoritetet italiane për kapjen e këtyre ngarkesave me lëndë narkotike, ka nisur hetimet, nga ku janë siguruar të dhëna, të cilat krijojnë dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e zyrtarëve policorë dhe doganorë në trafikun e lëndëve narkotike.

Sipas të dhënave të deritanishme hetimore, Prokuroria vlerëson se, bazuar në veprimet e punonjësve të policisë kufitare, të doganës dhe të agjentëve doganor, Qafë Thanë, si edhe atyre të Portit Durrës, Doganës Durrës dhe Doganës Tiranë, ekziston një formë e organizuar bashkëpunimi mes tyre për të realizuar kalimin e automjeteve kamion të mbushur me lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali.

Të dyshuarit e këtij hetimi janë të përfshirë në njërin ose në të dy episodet, të cilat janë pjesë e të njëjtit procedim penal.

Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore për këtë rast, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit:

Ymer Blloshmi, doganier, përgjegjës turni, Qafë-Thanë

Iliras Malja, doganier pranimi/verifikimi, Qafë-Thanë

Maliq Kadilli, agjent doganor, Qafë-Thanë

Kastriot Topulli, agjent doganor, Qafë-Thanë

Gëzim Dervishi, specialist në Policinë e Portit Durrës

Mexhit Xhixha, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës

Roland Metani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës

Agron Kapllani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës

Gentian Selmani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës

Medi Demiri, kontrollor, Policia e Portit, Durrës

Fatmir Plaku, kontrollor, Policia e Portit, Durrës

Julian Doraci, Shef i Stacionit Policor, Porti Durrës

Edmond Luzi, doganier eksporti, Porti Durrës

Ylli Vogli, doganier peshore, Dogana Vorë (Tiranë)

Vladimir Ziu, doganier regjimi, Dogana Vorë (Tiranë)

Erald Kulla, agjent doganor, Dogana Vorë (Tiranë)

Behar Sula, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës

Nezir Bardhoshi, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës