Shtatë janë të arrestuarit në operacionin policor të zhvilluar këtë të shtunë në qytetin e Shkodrës.

Policia e këtij qyteti ka dhënë detaje për këtë grup të strukturuar kriminal, të cilët me anë të dhunës i vinin gjoba bizneseve në këtë qytet.

Të arrestuarit janë Muhamet Lici 25 – vjeç, i dënuar më parë me 4 vite e 8 muaj burg për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak,  Abedin Bajraktari 27 – vjeç, i dënuar më parë, Denis Skutina 24 – vjeç, G.S 17 – vjeç, Besmir Domnori 24 – vjeç, Gëzim Vajushi 57 – vjeç, Fatmir Dibra 53 – vjeç.

Gjatë ekzekutimit të urdhër arresteve dhe kontrolleve në banesat e tyre, policia sekuestroi dy automjete, një Mercedez Benz të blinduar me targa

AC 108 – u

dhe një Fiat, 7 telefona celularë, 6 uniforma kamuflazhi, një targë makine

BP 1065 HT

, një palë dylbi, tre skafandra motori, një sasi kanabisi, si dhe fletore shënimesh, ku ishin të shënuar emrat e personave që gjobisnin dhe paratë.

Sipas prokurorisë, ata kishin krijuar një strukturë kriminale për të mbledhur me anën e dhunës, kanosjes dhe kërcënimeve shuma parash nga shitësit e Tregut të Zdrales, të Rrugës së Gjerë të Kirasit.

Hetimet për grupin në fjalë nisën 6 muaj më parë. Sipas akuzës, “kokat” e tij angazhonin anëtarët e tjerë të grupit që në çdo fund muaji të merrnin nga çdo tregtar shumat nga 1000 lekë deri në 3000 lekë. Numri i tregtarëve që kanë qenë të detyruar të paguajnë këto shuma “mujore” është tepër i lartë./tvklan.al