Saimir Tahiri, Ilir Beqaj, Blendi Klosi e Bledi Çuçi janë katër emrat, që Kryeministrit Edi Rama duket se i duhen më shumë në terren për zgjedhjet. Rëndësinë e tyre në qarqet që mbulojnë, kreu i qeverisë e nënvizoi në zyrtarizimin e largimit të tyre nga qeveria.

Koordinatorët e tjerë ministra, siç janë Bushati, Kodheli, Nikolla e Gjiknuri i shpëtuan lëvizjeve të fundit. Ata do të vijojnë punën në terren si koordinatorë partie, edhe me portofolin e ministrit në xhep.

Ky vendim duket pak nonsense, veçanërisht tek lënia me të dy funksionet e Ministrit të Jashtëm Bushati. Ai do të vazhdojë punën për zgjedhjet edhe si koordinator në qarkun e Shkodrës, por edhe do të vazhdojë angazhimet, kryesisht me vizitat jashtë vendit, në funksionin e Ministrit të Jashtëm, ndërkohë që vetë largimet u arsyetuan me nevojën për t’u angazhuar me kohë të plotë, o njërin o në tjetrin fuksion.

Me largimin e katër ministrave kanë nisur të përfliten emrat e parë si zëvendësues të tyre.

Në postin e Ministrit të Brendshëm, kandidati kryesor duket Zv/Kryeministri aktual, Niko Peleshi dhe vendin e Peleshit si numri dy i qeverisë, pritet ta zerë Pandeli Majko.

Dy kandidatura të tjera për detyrën e Ministrit të Brendshëm janë edhe dy figura disi më periferike dhe pa peshë të mirëfilltë politike, si Ministrja aktuale e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj dhe Deputeti Vexhi Muçmata, dy ish – prokurorë në profesion.

Në vend të Blendi Klosit, në krye të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale gara është mes dy deputeteve,Vasilika Hysi dhe Olta Xhaçka.

Për zëvendësimin e Ilir Beqajt në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bledi Çuçit në Administrim për Çështjet Vendore, nuk ka ende emra konkretë.

Orët në vijim pritet të qartësojnë lëvizjen më të madhe të ministrave brenda forcës më të madhe qeverisëse, që vjen në fund të mandatit.

Tv Klan