Shtatë persona, midis tyre katër shqiptarë, dy italianë dhe një rumun janë arrestuar nga policia italiane si pjesë e një bande që shpërndanin lëndë narkotike.

Hetimi ka filluar 6 muaj më parë kur policia u vu në ndjekje të Flori Gomës 36 vjeç dhe Ndec Prekës 32 vjeç që konsideroheshin si “truri” i bandës. Ata u vunë nën vëzhgimin e autoriteteve për shkak të lëvizjeve të tyre dyshuese drejt Xhenoas dhe Milanos.,

Arrestimi i parë është kryer në qershor, kur në pranga ka rënë Xhuljo Prendi, me 57 kilogramë marijuanë që sipas autoriteteve vinte nga Shqipëria. Prendi ishte shofer i një kamioni dhe donte t’ia çonte sasinë narkotike Prekës që e priste në autostradë dhe që arriti t’iu arratisej forcave policore në atë operacion.

Në hetimet e mëtejshme u zbulua se Goma dhe Preka përdornin disa të njohur të tyre për të transportuar drogën. Në këtë mënyrë  policia arriti në gjurmët e Kujtim Memës që u arrestua me katër kilogramë marijuanë dhe Cristian Florz Rogoz, rumun  që mbante 1.7 kilogramë marijuanë.

Rrjeti i shpërndarjes së drogës nga kjo bandë kishte kaluar edhe kufijtë e provincës Novi. Policia arrestoi Jars Stennaro dhe Daniele Picone që mbanin 2 kilogramë marijuanë.

Rreth 70 kilogramë marijuanë është sasia e lëndës narkotike që është bllokuar nga policia italiane gjatë operacionit të koduar “Back Hole 2”, ku fitimet mund të shkonin në mijëra euro.

/tvklan.al