Anëtarët e një grupi kriminal shqiptar në Angli janë dënuar në total me 17 vite burg për trafik të kanabisit në Bristol, Birmingham dhe Liverpool. Dënimi është dhënë nga Gjykata e Bristolit pas arrestimit të 10 personave në Tetor të vitit 2017.

Shqiptarët kontrollonin trafikun dhe furnizimin me lëndë narkotike në disa zona të Anglisë. Grupi kriminal kishte krijuar edhe një fermë të kultivimit të kanabisit, dhë lëndën narkotike më pas e shiste në shtetin ishullor.

Policia thotë se sasia e drogës së sekuestruar në këtë fermë kap shifrën e 750 mijë Eurove. Shqiptarët e dënuar janë Kreshnik Muja 20 vjeç ndaj të cilit u vendos 2.4 vite burg, Dritan Muhametaj 28 vjeç i dënuar me 14 muaj burg, Gurgen Nikoci 21 vjeç i dënuar me 14 muaj burg, Bardhyl Arifaj 33 vjeç i dënuar me 14 muaj burgim, Ardit Agaaj 27 vjeç i dënuar me 18 muaj burg, Aranit Kasaheri 34 vjeç  i dënuar me 12 muaj burgim, Elis Gashi 33 vjeç i dënuar me 4 vite burg, Dardan Horhaj 22 vjeç i dënuar me 3 vite burg, Jeton Muja 26 vjeç i dënuar me 2.4 vite burg dhe Besjan Muja 26 vjeç, dënimi ndaj të cilit do të jepet ditët në vijim.

Besjan Muja nuk pranoi fillimisht akuzat, por më vonë ndryshoi qëndrim dhe pranoi fajin. Për këtë arsye, vendimi për Besjan Mujën do të jepet në një tjetër seancë gjyqësore. Hetuesit thanë se anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal shfrytëzonin shqiptarë të tjerë për të shitur kanabisin e kultivuar prej tyre.

/tvklan.al