Tre shqiptarë dhe një italian janë arrestuar nga policia paraditen e sotme gjatë një aksioni në Borgo Valsugana, të akuzuar për rrëmbim personi.

Sipas mediave italiane, 4 personat kishin marrë peng një 22-vjeçar italian me iniciale D.L, i cili kishte humbur 1 kg hashash dhe nuk ishte në gjendje ta paguante. Në rrethana të tilla, 3 shqiptarët dhe italiani e rrëmbyen 22-vjeçarin duke e futur me dhunë në makinë, e rrahën, kërcënuan dhe e mbajtën peng deri sa babai i tij pagoi 7 mijë euro që të lironte djalin.

Sipas policisë, 22-vjeçari ishte përgjegjës për ruajtjen e 1 kg hashash që i përkiste grupit të tyre, por që të cilën e kishte humbur dhe nuk mund ta paguante.

Të arrestuarit nga policia janë Kreshnik Dedej 27 vjeç, Enrik Fetahu 33 vjeç, Enea Vrapi 20 vjeç dhe italiani Vincenzo Longobardi 29 vjeç.

Operacioni i policisë italiane për arrestimin e katër personave ishte koduar “Espresso”.

/tvklan.al