Pas lirimit të Lulzim Berishës, një tjetër ish-anëtar i bandës së Durrësit ka lënë qelinë këtë të enjte. Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesën e Indrit Taullait për lirim të parakohshëm.

Sipas gjykatës, i dënuari me 25 vite burg vuan nga një sëmundje e rëndë dhe në bazë të vendimit ai do të trajtohet nga mjekët në shtëpinë e tij. Taullai u arrestua në vitin 2006 së bashku me 14 persona të tjerë si anëtarë të bandës e cila ishte e ndarë në dy fraksione.

Ai u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë për krimet e rënda në vitin 2012. I njëjti vendim u la në fuqi nga Apeli i Krimeve të Rënda.

Por në vitin 2014 Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit për tre të dënuarit; Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj dhe Indri Taullai. Nga burg përjetë atyre iu ul dënimi në 25 vite burg. 

Pas disa kërkesave për lirim të parakohshëm, fillimisht dhjetorin e vitit të kaluar u lirua Lulzim Berisha. Ndërsa 7 muaj më pas la qelinë Indrit Taullai. TV KLAN