Andrea Ndoja është emri i 22-vjeçarit shqiptar i vrarë pistoletë nga një bari italian në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në qytezën Sinalunga pranë Sienës. Mediat italiane kanë zbuluar detaje nga krimi që ka tronditur thellë banorët e asaj që konsiderohet si ndër zonat më të qeta në vend.

Mosmarrëveshjet për çështje ekonomike por edhe inate të vjetra hetuesve janë shkaqet më të mundshme –sipas hetuesve – që e çuan 43-vjeçarin Xhulio Sale me origjinë nga Sardenja, të shkrepte pistoletën në drejtim të të riut shqiptar. Sipas hetuesve, ditët e fundit vrasësi dhe viktima kishin debatuar ashpër në telefon. Sherri mes tyre vazhdoi mbrëmjen e të mërkurës kur 43-vjeçari italian mbërriti përpara banesës së shqiptarit në Sinalunga. Në debat e sipër ai e qëlloi me pistoletë të riun shqiptar.

Plumbi e zuri në qafë duke i shkaktuar plagë të rënda. Siç shkruajnë të përditshmet italiane, shqiptari pati kohë vetëm të vraponte për të përqafuar një mik të tijin që banonte aty, në krahët e të cilit ndërroi jetë pak minuta më pas. Vrasësi u kap pak orë më vonë nga policia në pyllin pranë vendit të krimit. Ishte i plagosur në këmbë, pasi gjatë arratisjes kishte rënë në një hendek për shkak të errësirës. Aktualisht po kurohet në spital dhe pritet të dalë së shpejti para gjykatës.

Tv Klan