Pronari i një lokali bastesh sportive u dërgua i vdekur në urgjencën e spitalit të Peshkopisë, në orën 3:30 të mëngjesit të të premtes.

Gëzim Kaloshi 42 vjeç, banues në fshatin Blliçe, kishte një plagë me armë zjarri në kraharor. Ai u dërgua në spital pa shenja jetë nga dy persona ende të paidentifikuar.

Ata e lanë në urgjencë dhe u larguan menjëherë pa dhënë detaje. Rrethanat e ngjarjes janë të paqarta. Nuk dihet as vendi ku ka ndodhur krimi.

Policia po heton në disa pista. Grupi hetimor dyshon se ai mund të jetë vrarë aksidentalisht nga personat që e dërguan në spital, të cilët dyshohet se janë miq të tij.

Pista e dytë, mbetet ajo e një vrasjeje me dashje, por sërish mbetet mister arsyeja e largimit të personave që e çuan në spital.

Policia ka shoqëruar disa persona, të njohur të viktimës.

Hetuesit po kontrollojnë edhe thirrjet telefonike në përpjekje për të zbuluar personat më të cilët ka komunikuar para vrasjes apo vendodhjen e fundit të tij përpara se të vritej. 

TV KLAN