Dy ditë pas sulmit në shëtitoren “Las Ramblas” në Barcelonë, shoferi i furgonit që shkaktoi masakrën ndodhet ende në arrati.

Policia spanjolle ka nisur kërkimet për 22 – vjeçarin, Junes Abujakub. Fillimisht u raportua se ai së bashku me anëtarët e tjerë të celulës ishin mes 5 terroristëve të vrarë. Shoferi i furgonit, që shtypi 14 persona dhe plagosi mbi 100 të tjerë, është kthyer tashmë në personin më të kërkuar në Europë. Autoritetet spanjolle dhanë alarmin te kolegët francezë, pasi dyshohet se Abujakub mund të ketë udhëtuar drejt Francës.

Ditën e premte, hetuesit deklaruan se terroristët kishin planifikuar atentate më të mëdha se ato që kryen, por kishin zgjedhur sulmin me furgon, pasi kishin mbetur pa lëndë eksplozive.

Moussa Oukabir, personi që mori me qera furgonin në emër të vëllait Dris, njihej për prirje xhihadiste. Në një postim në rrjetet sociale ai bën thirrje për vrasje të të pafeve dhe shkruan se vendi ku nuk do të jetonte kurrë është Vatikani.

Policia ka arrestuar deri më tani 4 persona, mes të cilëve edhe vëllain e Moussa Oukabirit, i cili fillimisht u raportua si autori i masakrës.

Furgoni i terroristëve hyri pasditen e së enjtes në shëtitoren e njohur “Las Lambras”. Terroristi në timon përshkoi mbi 500 metra duke bërë zig-zag-e në mënyrë që të vriste sa më shumë njerëz. Ai u ndalua më pas në stacionin e metrosë në fund të rrugës.

Ekspertët e sigurisë shprehin shqetësimin se ky lloj organizimi, i pavarur nga kalifati i ISIS, është kthyer në një model frymëzimi për xhihadistët e tjerë. Barcelona u godit nga një grup të afërmish, të cilët ishin të shkëputur nga Shteti Islamik, por që kishin ndjekur me përpikmëri propagandën e përhapur online , duke sulmuar qytetarët me ç’të mundnin.