Enea Bekteshi ka pranuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda se ka qenë ai në timon e makinës së blinduar e cila mbrëmjen e 18 Shtatorit goditi një automjet policie në Elbasan. 31-vjeçari sqaroi se ai ka qenë nën efektin e alkoolit dhe drogës pasi prej 12 vitesh është përdorues i kanabisit.

“Makinën e mora pa lejen e pronarit Petrit Çela”,

u shpreh ai në Gjykatë. Bekteshi u shpreh se makina e goditur nuk kishte shenja policie dhe nuk i është bërë sinjal për të ndaluar. Sipas tij ai është trembur pasi drejt tij është qëlluar me armë dhe për këtë fakt nuk ka ndaluar duke u futur më pas në Tregun Agro – Ushqimor.

Ndërsa Prokuroria në kërkesën e saj lexuar në Gjykatë nuk percaktonte dot nëse Bekteshi ka qenë shofer apo pasagjer, por vetëm faktin se ai ka qenë brenda në makinë. Sipas provave të sjella nga prokuroria, Bekteshi atë ditë ka qenë në drejtimin e makinës së blinduar pasi ka dërguar në aeroportin e Rinasit Marius Çelën, djalin e pronarit të makinës.

Pasi ka dëgjuar palët gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Enea Bekteshin deri në fund të hetimeve. E njëjta masë sigurie u dha edhe për kunatin e Bekteshit, Aleks Pupuleku. Mbi të rëndon akuza e përkrahës së autorit të krimit, pasi Bekteshi u arrestua në shtëpinë e tij në Cërrik.

Tv Klan