Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, tha të hënën në Prishtinë se Kosova nuk duhet të mbetet peng e procesit të shënimit të kufirit me Malin e Zi dhe kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë.

Zoti Engel po qëndron për një vizitë në Kosovë, gjatë së cilës mori pjesë edhe në hapjen zyrtare të programit prej 49.6 milionë dollarësh për Kosovën nga korporata “Sfidat e Mijëvjeçarit”, që synon të ndihmojë në dy fusha thelbësore për rritjen ekonomike: mungesën e energjisë së qëndrueshme dhe sundimin e ligjit.

Ligjvënësi Engel i cili ndoqi procesin e zgjedhjeve lokale të së dielës në Kosovë, të hënën mori pjesë edhe në një mbledhje solemne për nder të tij në qeverinë e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri thirrje me këtë rast që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen në përmbylljen e çështjeve të hapura të Kosovës, në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

“Në temat e mbetura të hapura në e kërkojmë ndihëm e juaj, ndihmën e Amerikës e po ashtu ju premtojmë që do ta nderojmë këtë ndihmë me kujdesin më të madh për avancimin e demokracisë, të rendit dhe të ligjit, për luftimin e krimit e të korrupsionit, për një Kosovë që është e lirë për të gjithë qytetarët e vendit”, tha kryeministri Haradinaj.

Ligjvënësi Engel tha se sapo të kthehet në Amerikë do të shoh mundësitë për të siguruar përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Kryeministri më ka thënë shumë herë se gjithmonë ndjehet më mirë kur SHBA-ja është e përfshirë dhe të them të vërtetën njësoj ndjehem edhe unë. Ne kemi një qeveri të re në SHBA që ende nuk ka bërë vitin, dhe ende janë duke i zgjidhur disa çështje të tjera të tyre. Por, një gjë që do ta bëj kur të kthehem nga ky udhëtim është që të përpiqem të sigurohem që Amerika ta ketë një përfshirje të fuqishme në Ballkan dhe në Kosovë”, tha ai.

Zoti Engel tha po ashtu se çështja e kufirit me Malin e Zi, është me rëndësi dhe duhet të zgjidhet sa më shpejt. ” Është padyshim një problem, edhe pse jo i vetmi sepse ka shumë probleme tjera. Por jam kundër asaj që çështjet të mbahen peng për shkak të një problemi”, tha ligjvënësi Engel.

Zoti Engel, njihet si mbështetës i fuqishëm i çështjes shqiptare në Ballkan e posaçërisht i çështjes së Kosovës. Përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave joqeveritare thonë se zoti Engel, është një mik i vërtet e shqiptarëve në kongresin Amerikan për më shumë se një çerek shekulli dhe gjatë kësaj kohe luajti një rol me rëndësi në të gjitha proceset që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës./Voa