CobaniZgjuarsia, bukuria, stili, durimi dhe këmbëngulja janë kaq në harmoni tek Eni Çobani, saqë të bën të jesh “xheloze” për gjithë këto cilësi që ajo ka me bollëk. Eni jo rastësisht është sot kaq e njohur dhe kaq e dashur për shqiptarët, së paku që nga dita kur mori përsipër të drejtojë rubrikën “Shihemi në gjyq” tek emisioni “E Diela Shqiptare”, pasi ajo ka qenë e angazhuar prej 10 vjetësh në media për temat që kanë në fokus drejtësinë.

Por prej 2 vitesh, që nga emisioni i parë i rubrikës “Shihemi në gjyq”,  Eni Çobani  ka marrë përsipër një mision të madh, atë të dhënies së drejtësisë në ekran, para gjithë opinionit publik,  duke mos lënë më vend për keqinterpretime, fakt që e ka bërë atë  personin më të besuar të të gjithë shqiptarëve. Eni nuk ka rolin e gjyqtares, ndryshe nga se iu propozua në fillim, jo, ajo ushtron edhe  rolin e avokates, por që i mbron të dyja palët, derisa arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët që i çon drejt marrëveshjes “paqësore”. Një  telefonatë në një ditë gushti nga prezantuesi i njohur Ardit Gjebrea bëri që jeta e Eni Çobanit të ndryshojë tërësisht, ku fjala rutinë nuk bën më pjesë në fjalorin e saj, pasi çfarë bën sot, vështirë të bëjë për herë të dytë.

Zgjidhja e problemeve të shqiptarëve ndoshta nuk do të mjaftonte aq sa vetë jeta e Eni Çobanit, megjithatë ajo nuk dorëzohet , i ka hyrë “detit me këmbë” dhe nuk ka ndërmend të ndalet.  Shihemi në gjyq,  tashmë rubrika më e ndjekur në të gjitha ekranet shqiptare me rekorde në audiencë.

“Kur duam gjithmonë ka zgjidhje” – ky është mesazhi dhe misioni i Enit jo vetëm të dielave por çdo ditë.

Eni, si u gjende në rubrikën “Shihemi në gjyq”?

Ka qenë një ëndërr e fjetur e imja që një ditë të kisha afërsisht këtë mision, të paktën që nga koha kur jam angazhuar në media. Që prej dy vitesh, që nga telefonata e Arditit, asnjë ditë e imja nuk i ngjan tjetrës. Në fillim ideja ishte që të jepnim sa më shumë informacion rreth ligjit, pasi shqiptarët kanë një hendek të madh sa i përket njohjes së ligjeve. Mua  mu propozua që të kisha rolin e gjyqtares, por e refuzova kategorikisht  të merrja përsipër këtë rol, pasi gjyqtare të caktojnë organe të tjera drejtësisë, pavarësisht dëshirës së madhe për të vënë drejtësi. Unë tek rubrika “shihemi në gjyq” kam rolin e ndërmjetëses,  të licensuar edhe Ministria e Drejtësisë.

Si vazhdojnë çështjet pasi firmoset marrëveshja, a ka raste kur palët pasi kanë firmosur para kamerës, mund të ndryshojnë qëndrim?

Fatmirësisht , deri më sot nuk ka ndodhur që marrëveshja jashtë studios televizive të dështojë,  zgjidhja ka qenë përfundimtare. Shoqëria shqiptare ka shumë nevojë për drejtësi dhe unë ndihem shumë e privilegjuar që i’a arrij këtij misioni.

Disa media kanë spekuluar  se personazhet nuk janë realë. Si është e vërteta?

Në qoftëse të gjithë shqiptarët do të ishin kaq aktorë, di të them se,  sot Shqipëria do të kishte prodhuar filmat më të mëdhenj. Nuk ka vend për spekulime, personazhet  janë të gjithë realë dhe ngjarjet janë të gjitha të shoqërisë shqiptare. Nuk ka aspak vend për aktrim, brenda një harku kohor prej 1 jave, kam mbi 40 apo 50 çështje që kërkojnë zgjidhje , pavarësisht se në televizion zgjidhet vetëm një, pasi aq është koha televizive, por nga ana tjetër jo të gjitha rastet kanë nevojë të zgjidhen publikisht.

Si i përzgjidhni historitë që shfaqen në televizion?

Problemet e shqiptarëve janë shumë të thella, ndonjëherë është kaq e vështrë të ndash se kë duhet të përzgjedhësh për në rubrikën “shihemi në gjyq”. Rastet përzgjidhen në bazë të specifikës së problemit, por  shqiptarët janë kaq të paduruar, sa  kërkojnë zgjidhjen e problemit menjëherë pasi kanë ardhur tek unë. Në qoftëse në fillim na duhej t’I bindnim ne të dilnin në ekran, sot është e kundërta, ata kërkojnë me ngulm të dalin publikisht , madje shpesh e kemi të vështirë  t’i frenojmë. Shumë prej problemeve nuk kanë nevojë të ekspozohen , jo të gjitha rastet kanë interes për publikun, e në këto raste unë i ndjek problemet privatisht.

“Shihemi në gjyq” është një ndër rubrikat më të ndjekura. Sa ju gëzon kjo dhe sa jua shton përgjegjësinë?

Përveç përgjegjshmërisë, kjo gjë më shton edhe kurajon për të thënë të vërtetën. Më vjen mirë që janë shtuar njerëzit që duan të thonë të vërtetën dhe më shohin mua  si zgjidhjen e problemeve të tyre. Përveç kësaj, unë dua t’i jap shoqërisë një model, dua që shoqëria shqiptare të ndërgjegjësohet për të thënë të vërtetën dhe që  të evropianizohet  në radhë të parë në mendësi dhe në stil.

Si arrini në 24 orë të bëni ndërmjetësen, pedagogen, avokaten, mamanë dhe bashkëshorten?

Ajo që më preokupon më shumë është lënia pak mënjanë e pedagogjisë, nuk kam shumë kohë për librin, më përpara kam shkruar shumë në media rreth ligjeve, madje jam duke përgatitur një libër por që do ta përfundojë pas mbarimit të sezonit televiziv. Parimi im është “kur do i bën të gjitha”, prandaj të gjitha këto unë i bëj nga dëshira e madhe.

Sa i përket jetës private, fatmirësisht kam një bashkëshort që më kupton dhe më mbështet në çdo moment dhe në çdo rrethanë, edhe pse publiciteti im e vë pak në siklet. Madje edhe djali, i cili është 16-vjeç ka filluar ta ndjejë pak mbi supe publicitetin tim, duke e bërë që ai të frenohet  në disa gjëra situata, pasi ai është një tip shumë i lirë, por unë e këshilloj nga pak për mënyrën se si të sillet. Bashkëshorti dhe djali  më shumë shqetësohen për faktin sesi nuk lodhem unë. Djali është shumë mirë me mësime, nuk i imponoj asgjë në jetë, bashkë me bashkëshortin e kemi lënë të lirë ta zgjedh vetë profesionin, por nuk e mohoj që do kisha dëshirë që ai të vazhdonte misionin tim.

Por që jeni gjithmonë kaq në formë?

Mund  them se “nëna natyrë” është treguar bujare, që unë mos të shqetësohem shumë për pamjen e jashtme. Nuk e kam ndjerë ndonjëherë nevojën për tu kuruar me orë të tëra. Për sa i përket veshjeve të mija, mundohem të kujdesem gjithmonë vetë për pamjen e jashtme e nuk e kam ndjerë nevojën e dikujt që të më udhëzojë.

Intervistoi: Mitka Sejdini