Kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton dhe Donald Trump, zhvillojnë sot debatin e parë presidencial, i cili, sipas disa vlerësimeve, mund të tërheq mbi 100 milionë shikues.

Shikuesit nuk do t’i kushtojnë vëmendje vetëm asaj që thonë, por edhe si e thonë dhe si reagojnë ndaj njëri-tjetrit.

Debati do të jetë moment kyç për Trump, i cili, në javët e fundit, i është afruar Clintonit në sondazhe.

“Do ta bëjmë Amerikën të fortë përsëri. Do ta bëjmë të sigurt dhe madhështore”, u tha Trump mbështetësve në Florida, në njërin nga shtetet vendimtare.

Clinton duket se e sheh debatin si mundësi për të siguruar mbështetësit e saj se do të ndërtojë një ekonomi më gjithëpërfshirëse.

“Të gjithë ne kemi vlerë. Në shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendin më të madh në botë, ne besojmë se të gjithë lindim të barabartë”, tha Clinton, po ashtu në Florida.

I pari prej tre debateve, i cili tradicionalisht është më i ndjekuri, vjen në kohën kur ka ndryshuar loja, tha për Zërin e Amerikës analisti Matthew Dallek, nga Universiteti George Washinton.

“Tani, sondazhet janë me rezultat shumë më të ngushtë sesa mendohej, andaj debati do të jetë i rëndësishëm”, tha ai.

Debatet televizive presidenciale kanë nisur në vitin 1960 me Richard Nixonin dheJohn Kennedyn. Që atëherë, debatet kanë pasur ndikim, por jo të domosdoshëm, në zgjedhjet presidenciale.

Debati i sotëm do të nisë në orën 21:00, sipas kohës lokale, në kanalin NBC dhe do të drejtohet nga Lester Holt. Ai pritet të hapë një varg të gjerë temash, nisur nga siguria kombëtare deri te rritja ekonomike.

Deri në zgjedhjet e nëntorit do të ketë tre debate presidenciale dhe një ndërmjet kandidatëve për nënpresident, demokratit Tim Kaine dhe republikanit Mike Pence./tvklan.al