Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan, i ka kërkuar ndjesë Rusisë për incidentin me rrëzimin e avionit luftarak rus në kufirin turko-sirian, në nëntor të vitit të kaluar.

Lajmi u bë i ditur nga Kremlini, që njoftoi se Erdoan i ka dërguar një letër presidentit rus Vladimir Putin, ku i shpreh ngushëllimet e sinqerta për familjet e pilotit të rënë në detyrë. Në letër shkruhet se Rusia është një vend mik i Turqisë dhe një partner strategjik, njofton Kremlini.

Nga ana tjetër, Ankaraja nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e letrës.

Incidenti me avionin rus çoi në pikën më të ulët marrëdhëniet mes dy vendeve. Turqia akuzoi Rusinë se në mënyrë të përsëritur ka shkelur hapësirën ajrore të saj dhe nuk kërkoi ndjesë.

Moska u kundërpërgjigj duke vendosur sanksione tregtare dhe ndërpreu paketat turistike me Turqinë. Asokohe, Putin e cilësoi rrëzimin e avionit si thikë pas shpine dhe kërcënoi se Rusia do të kundërpërgjigjej.

Moska akuzoi Ankaranë se rrëzoi avionin e saj pasi bashkëpunon me Shtetin Islamik.

Tv Klan