Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha të enjten se është rritur në duart e një gruaje shqiptare, më të cilën familja e tij kishte qenë “fqinj me dyert ballë për ballë”.

Erdogan foli të enjten në Pallatin Presidencial në Ankara, gjatë një konference për shtyp me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Turqi.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari të Radiotelevizionit të Kosovës, RTK, Erdogan shpjegoi më tej një temë që e kishte përmendur edhe gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin shqiptar, Bujar Nishani, gjatë vizitës që ai zhvilloi këtë muaj në Ankara.

“Zoti i mëshiroftë, fëmijët e tezes Suat janë rritur tek mamaja ime, ndërsa ne jemi rritur në shtëpinë e tyre dhe në duart e tyre. Mes nesh nuk kishte dallime të tilla si ata janë shqiptarë, ne jemi nga Rize-ja (qytet në brigjet e Detit të Zi në Turqi), kaq shumë e donim njëri-tjetrin,”

tha Erdogan teksa fliste për fqinjët e tij të fëmijërisë.

Presidenti turk tha se Stambolli i atyre viteve, nuk ishte Stambolli modern i këtyre viteve dhe se gjithandej kishte baltë. Ai tha se fqinjët e derës përballë, më origjinë shqiptare,

“na merrnin dhe na lanin.”

Kjo ishte marrëdhënia e veçantë që kishin fqinjët e asaj kohe në Stamboll, tha Erdogan, duke shtuar se fatkeqësisht sot nuk mund të thotë se ka shumë marrëdhënie të tilla në metropolin turk.

“Më parë ishe shumë më ndryshe, ishte shumë më bukur,”

tha ai.

FETO kërcënim për Turqinë dhe Kosovën

Gjatë konferencës për shtyp me Thaçin, Erdogan tha se

“Organizata Terroriste Fetullahiste (siç quhet në Turqi Lëvizja Gyleniste) nuk është kërcënim vetëm për Turqinë por për çdo shtet ky ajo ka aktivitet.”

Ai shprehu besimin e tij se Presidenti Thaçi dhe autoritetet e Kosovës do të tregonin ndjeshmërinë e duhur ndaj kësaj çështjeje shumë të rëndësishme për Turqinë.

“Ne kemi paguar një çmim. Kemi dhënë 248 dëshmorë

”, tha Erdogan duke folur për natën e 15 Korrikut kur Turqia u përball me tentativën për grusht shteti, për të cilën ai fajëson klerikun mysliman në mërgim, Fetullah Gylen.

Presidenti turk tha se mendësia FETO-iste ka qenë ajo pas grushtit të dështuar të shtetit, i cili synonte të asgjësonte Presidentin, Kryeministrin dhe që bombardoi parlamentin dhe presidencën turke. Gylen, i cili jeton në SHBA, i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat.

Erdogan paralajmëroi se sot me një problem të tillë u përball Turqia ndërsa nesër të njëjtën gjë mund ta bëjnë në Kosovë, ata që sot diplomohen nga shkollat e Gylenit.

Ai tha se pjesëtarët e organizatës terroriste FETO gradualisht mund të

“ pushtojnë shkollat, institucionet shtetërore dhe parlamentin e Kosovës.”

“A nuk studiojnë fëmijët e qytetarëve kosovarë në ato shkolla? A nuk studiojnë fëmijët e parisë së Kosovës? Ju i bëni llogaritë tani për tani, i dashur vëlla mos e bëj llogarinë tani për tani, llogarinë bëjë për pas 10 vitesh, për pas 20 vitesh,

” tha Presidenti turk.

Erdogan njihej si aleat i ngushtë i Gylenit deri në Dhjetor 2014, kur policia turke arrestoi tre fëmijë ministrash për korrupsion dhe vuri në objektiv djalin e tij.

“Ne u dogjëm, të mos digjen edhe vëllezërit kosovarë

”, tha ai, duke shtuar se prandaj kërkonte mbylljen e shkollave të kësaj lëvizjeje në Kosovë.

Erdogan më tej këshilloi që Vakëfi Maarif, të cilin Turqia e ka krijuar vitet e fundit për të marrë përsipër shkollat e Gylenit në botë, të marrë përsipër edhe ato në Kosovë dhe së bashku me Ministrinë e Arsimit të Kosovës, të punojë për të edukuar ata që ai i quajti “ të rinjtë idealistë të Kosovës.”

Presidenti turk siguroi se nga shkollat që mund të merren përsipër nga Vakëfi Maarif, “

nuk del tradhtar. Këta (Gylenistët) janë tradhtar!”

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Thaçi kujtoi se që natën e tentativës për grusht shteti, ai e kishte dënuar atë duke thënë se

“forca e asnjë tanku nuk mund ta mposhtë forcën e këtij populli.”

Thaçi nuk dha publikisht asnjë premtim për mbylljen e shkollave të Gylenit në Kosovë, por shtoi se

“asaj që Turqia i thotë terroriste, edhe ne i themi terroriste”.

/tvklan.al