Presidenti i Turqisë, Erdogan ka kërcënuar Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me operacionin për kapjen në Kosovë të 6 shtetasve turq, që konsiderohen si gylenistë.

Sipas “Hurriyet”, duke folur në një mbledhje të partisë së tij, Erdogan i kërkon llogari Haradinajt përse shkarkoi ministrin e Brendshëm të Kosovës dhe kreun e Inteligjencës. Presidenti turk madje ka ashpërsuar tonet, duke thënë se “vëllezërit e tij kosovarë” do të hakmerren ndaj Kryeministrit Haradinaj.

“Agjencia jonë Kombëtare e Inteligjencës, me anë të operacionit që bëri në Kosovë arrestoi zyrtarët e tyre (FETO) më të lartë në Ballkan. Por jam i trishtuar. Del Kryeministri i Kosovës dhe shkarkon kreun e Inteligjencës dhe ministrin e Punëve të Brendshme. Tani unë pyes: Kryeministër i Kosovës, me urdhër të kujt e hodhe një hap të tillë? Që kur ke filluar të mbrosh ata që janë përpjekur t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë? A nuk e di ti se ne jemi shteti i dytë në botë që e ka njohur pavarësinë e Kosovës menjëherë, Amerika i pari, ne i dyti? Si mundesh t’i ushqesh në gji ti këta njerëz që janë përpjekur të bëjnë grusht shteti në Turqi, e cila e trajton Kosovën si shtet vëlla. Për këtë do të japësh llogari! Vëllezërit e mi kosovarë nuk i besojnë një kryeministri si ti. Vëllezërit e mi kosovarë, kosovarët si unë i njoh dhe i di, do të bëjnë të paguash për këtë. Nuk bëhet politikë me telekomandë nga larg. Ne e kemi dëshmuar se nuk jemi një vend që gjunjëzohet me anë të aleancave të pista”,

 u shpreh Erdogan.

Dy ditë më parë, autoritetet kosovare në bashkëpunim edhe me ato turke, arrestuan 6 drejtues të shkollave në Kosovë. Ata janë shtetas turq dhe konsiderohen si gylenistë, “armiq të pushtetit të Erdogan”.

Gjashtë të arrestuarit u deportuan më pas në Turqi. Këtë veprim nuk e mirëpriti Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili shkarkoi menjëherë nga detyra ministrin e Brendshëm dhe kreun e Inteligjencës së Kosovës. Sipas Haradinajt, nuk mund të ndërmerrej një veprim i tillë për llogari të Turqisë në heshtje dhe pa njoftuar.

Duke folur më tej për luftën kundër gylenistëve, të cilët ai i cilëson organizatë terroriste, Erdogan tha se “edhe ata që janë arratisur në Pensilvani të SHBA, vend ku qëndron edhe kleriku Fetullah Gylen, kanë nisur të pyesin çdo të bëhet me mua”. Në një referencë të qartë për Gylenin, Erdogan tha kërcënueshëm se “cilido të ketë qenë fati i atyre në Kosovë do të jetë edhe fati yt. Ti nis sërish seancat e mallkimit. Mallkoje burrin e gjatë (referencë për veten e tij). Unë kam një Zot, ti çfarë ke? Nuk e di. Ne rrimë në këmbë me lutjet e këtij populli. Pandeh se ti po përpiqesh të rrish në këmbë me lutjet e Xhorxhëve dhe Hansëve (referencë për amerikanët dhe gjermanët). Kjo betejë nuk është si gjithë të tjerat. Ti ke përçarë popullin. Ata që përçajnë këtë popull, herët apo vonë do t’i zënë mallkimet e këtij populli”.

Presidenti turk e akuzon klerikun Fetullah Gylen, aleat i tij i ngushtë deri në vitin 2013, si organizator të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi në Korrik të vitit 2016, gjatë të cilit humbën jetën më shumë se 250 persona. /

tvklan.al