Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar Gjermaninë se po vë në jetë “praktika naziste” ditë pasi një bashki në Gjermani anuloi lejen për miting të dy ministratvve turq.

Gjatë kësaj jave Gjermania tërhoqi dy leje për ministrat turq të Drejtësisë dhe Ekonomisë, të cilët ishin parashikuar të mbanin mitingje në mbështetje të ndryshimeve kushtetuese. Vendimet erdhën teksa Ankaraja dhe Berlini kishin pasur deklarata kontroverse në lidhje me arrestimin pak kohë më parë të një gazetari turko-gjerman të akuzuar nga Turqia pse mbështeste terroristët kurdë të PKK-së.

“Në Gjermani ata nuk lejojnë shokët tanë të flasin,” tha Erdogan gjatë një mitingu në Stamboll.

“Le ta bëjnë. Mendoni se duke mos na lejuar të flasim Turqit në Gjermani do të votojnë “jo” në vend të “po” (për ndryshimet kushtetuese)?,” pyeti Erdogan.

“Gjermani, ju s’keni lidhje me demokracinë. Këto praktikat e fundit tuajat nuk kanë dallim nga praktikat naziste të së kaluarës,” tha ai.

Erdogan së fundmi po ashtu ka akuzuar Gjermaninë se po mirëpret armiqtë e Turqisë, duke filluar nga terroristët kurdë tek organizatorët e grushtit të shtetit.

Berlini ka kërkuar nga Ankaraja që të lirojë gazetarin turko-gjerman, të cilin Erdogani e ka quajtur “spiun gjerman”.

“Ne do të flasim rreth veprimeve të Gjermanisë në arenën ndërkombëtare dhe do i turpërojmë në sy të botës,” tha Erdogan të dielën.

“Ne nuk duam t’a shikojmë më botën naziste. Ne nuk duam t’i shikojmë veprimet e tyre fashiste. Ne menduam se ajo epokë kishte kaluar, por siç duket jo.”

Ndërkohë, Zëvendësja e Merkelit në Partinë e Unionit Kristian Demokrat, Julia Kloeckner , e ka akuzuar Presidentin turk se “po vepron si një fëmijë kokëfortë që nuk i plotësohet dëshira.”

Kloeckner tha për gazetën Bild se Erdogani duhet të kërkojë falje për krahasimin me nazizmin. “Një burrështetas i vërtetë nuk flet me terma të tillë.”

Marrëdhëniet mes dy aleatëve të NATO-s u përkeqësuan së tepërmi dhe shpejt pas grushtit të dështuar të shtetit kundër Erdoganit në muajin korrik, kur Ankaraja akuzoi Berlinin dhe kryeqytetet e tjera për mos-dënim në kohë të puçit. /tvklan.al