Kriza 7 – vjeçare siriane bëri bashkë për herë të dytë presidentët e Turqisë, Rusisë e Iranit. Erdogan, Putin e Rohani u takuan në Ankara 5 muaj, pas takimit me të njëjtin qëllim në Soçi.

Pas drekës trepalëshe, aleati i NATO-s Erdogan përbashkoi qëndrimin me Moskën dhe Teheranin në një deklaratë të përbashkët ku shprehen kundër çdo plani për ndarje të Sirisë. Presidenti turk tha se pas terroristëve të Shtetit Islamik duhet të eliminohen edhe grupet e militantëve kurdë, të mbështetur nga Uashingtoni, të cilët i shërbejnë përçarjes së Sirisë. Liderët i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të bashkëpunojë për të rikthyer paqen në Siri.

Samiti për Sirinë është nismë e këtyre tre vendeve, pas dështimit të procesit të paqes të Gjenevës të mbështetur nga Kombet e Bashkuara. Presidenti rus mbërriti të martën në Turqi, duke shfaqur shenja afrimi të mëtejshëm me Ankaranë. Putin u bë pjesë e ceremonisë së përurimit të punimeve për ndërtimin e centralit të parë bërthamor për energjinë në Turqi. Me presidentin turk bisedoi edhe për përshpejtimin e dërgimit të sistemit të sofistikuar rus S-400 të mbrojtjes raketore ajrore.

Tv Klan