Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan uroi sot Presidentin e zgjedhur të Shqipërisë, Ilir Meta.

Zyra e Shtypit e Kryetarit të Kuvendit, tha se Erdogan ka uruar përzemërsisht Metën në një bisedë telefonike dhe e ka ftuar për një vizitë zyrtare në Turqi.

Krahas kësaj, Erdogan e ka falënderuar z. Meta për rolin që ka luajtur në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve gjatë ushtrimit të detyrës së Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Nga ana e tij, Meta shprehu besimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë.

“Shpreh besimin për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë. Rajoni përballet me sfida të mëdha stabiliteti e sigurie që kërkojnë përgjegjshmëri e përkushtim. Miqësia mes Shqipërisë dhe Turqisë është e rëndësishme për tërë rajonin”, tha Meta./tvklan.al