eshtrat

Eshtrat e Ibrahim Kodrës nuk do të zhvarrosen nga Ishmi, aty ku edhe piktori prehet prej 10 vitesh.

Ceremonia e rivarrimit në Tiranë të kodrat e liqenit artificial pranë vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës e parashikuar për të premten e 12 Shkurtit është anuluar.

Në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, thuhet se dy ekzekutuesit e testamentit të piktorit, njëherash përfaqësuesit e Fondacionit “Ibrahim Kodra”, Behgjet Pacolli dhe Fatos Faslliu, kërkojnë të vlerësojnë momentin më të pjekur për të proceduar me amanetin e mjeshtrit për t’u prehur në Tiranë ose Durrës.

Tërheqja e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, vjen pas kundërshtimit që të afërmit e piktorit, banorët e Ishmit dhe komunitetit të piktorëve i bënë vendimit të saj për t’i zhvendosur eshtrat e Ibrahim Kodrës nga vendi i lindjes.

Argumenti i tyre ishte se nuk ekziston asnjë dokument zyrtar ku piktori i njohur ndërkombëtarisht të ketë shprehur vullnetin e tij për t’u varrosur në Tiranë.

Në njoftimin e saj Ministria e Kulturës e quan rezistencën e banorëve të Ishmit të paarsyeshme, madje i akuzon ata se pamundësuan realizimin e amanetit dhe nderimin e Ibrahim Kodreë me një monument të ri në Tiranë.

Mirela Kumbaro shkoi me tej, kur u tha deputeteve të Komisionit të Jashtëm se ajo kishte parë një testament të piktorit ku ai shprehte dëshirën për t’u varrosur në Durrës apo në Tiranë. Por në të vërtetë, në testamentin e vetëm të lënë nga Ibrahim Kodra me shkrim nuk përcaktohet asnjë vend varrimi si deshirë e tij.

Tv Klan