Kur tifozët janë të lumtur, meritën kryesore e ka kapiteni. Për Kombëtaren shqiptare, kapiteni është Lorik Cana.

Mbrojtësi 33-vjeçar është përzgjedhur si një nga tre lojtarët më të fortë të botës dhe kjo jo nga një media dosido, por nga televizioni amerikan, ESPN.

Cana është bërë pjesë e një grupi ekskluziv futbollistësh me karakter të ashpër dhe tepër ndikues për skuadrat e tyre.

Kjo u pa që në fillimet e karrierës, tek Paris SG, dhe më pas tek Marseja.

Shqiptari I lindur në Kosovë u bë kapiten i marsejezëve, diçka shumë prestigjioze pasi ishte shiriti në klubin e vetëm francez, që ka fituar Ligën e Kampionëve.

E konfirmoi veten në Premier Ligë, ku u bë kapiten i Sandërlendit, gjithashtu një idhull për tifozët.

Televizioni amerikan nënvizon një shprehje të vetë Lorikut, që thotë se “Nëse topi është mes dy lojtarëve dhe unë mendoj se mund ta fitoj, do të përpiqem ta fitoj në çdo mënyrë”.

Ky mentalitet shpesh edhe i ka prishur punë, siç ndodhi në ndeshjen debutuese në Euro 2016 ndaj Zvicrës, ku Cana mori karton të kuq pas dy ndërhyrjeve të parregullta.

Gjithsesi, aftësia e tij udhëheqëse nuk është vënë kurrë në dyshim.

Ajo duket jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në çdo seancë stërvitore, ku trajnerët e Shqipërisë e kanë pasur kapitenin si krahun e tyre të djathtë.

Cana lë pas në renditjen e ESPN-së lojtarë tepër të ashpër si Kielini, Bruno Alvesh, Pepe, De Jong apo Diego Godin, ndërsa përpara tij janë vetëm Leonardo Bonuçi e Gari.

Tv Klan