Kur duhen rreth 100 ditë nga nisja e finaleve të Euro 2016 drejtues të UEFA-s lajmërojnë se mund të luhen edhe ndeshje pa tifozë. Një pohim të tillë e ka bërë drejtori i turneut Marton Kellen dhe kjo vjen nga një rrezik i mundshëm nga terrorizimi.

Një dëshmi e qartë janë sulmet e 13 nëntorit të kaluar ku disa sulme terroriste shkaktuan 130 viktima dhe panik në Paris.

“Nëse kërcënimet do të jenë konkrete, mund të luhen ndeshje pa publik dhe nuk përjashtohet edhe shtyrja për një ditë tjetër. Megjithatë deri më tani nuk ka asnjë sinjal dhe situata që të krijojnë alarm” – citohet zyrtari i lartë i UEFA-s në mediat ndërkombëtare.

Finalet e Euro 2016 do të mbahen nga 10 qershori deri më 10 korrik në Francë, ku pritet të angazhohen shumë forca sigurie për të shmangur çdo rrezik.

Tv Klan