Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein dhe Eurodeputeti Eduard Kukan mbështesin letrën e Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn drejtuar shqiptarëve në lidhje me situatën politike.

Eurodeputeti Fleckenstein shkruan në faqen e tij zyrtare në Facebook se është i trishtuar për mosgjetjen e një zgjidhjeje për vendin pas bisedimeve me kongresmenët amerikanë.

“Përgjegjësia është e qartë”-shkruan Fleckenstein bashkangjitur letrës së Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn.

Edhe  Eurodeputeti Eduard Kukan thotë së mbështet plotësisht letrën e Hahn dhe deklaratat e tij drejtuar qytetarëve shqiptarë.

Një ditë më parë komisionieri Johannes Hahn tha qartë se zgjedhjet do të gjykohen nga standardet dhe jo nga pjesëmarrja.

Ai shkruan se vendimi i opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje ishte i paramenduar, por kjo nuk do ta pengojë procesin të ecë përpara.

Në letrën e tij, Hahn nënvizon se çdo rrugë që cenon të drejtën e qytetarëve për të votuar është e dënueshme dhe se udhëheqësit politikë do të jenë përgjegjës nëse përpiqen të minojnë aspiratat e popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë./Tv Klan