Deputeti i Parlamentit Europian Eduard Kukan ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit në Shqipëri duhet të njihet nga të gjitha partitë politike.

Duke folur në emër të misionit prej 7 eurodeputetësh të PE që monitoruan zgjedhjet në vendin tonë, Kukan tha se mbështet raportin paraprak të OSBE – ODIHR dhe u shpreh se qeveria e re që do të formohet të punojë për të realizuar reformat e duhura për integrimin në BE.

“Ne 7 anëtarët e PE jemi shumë të kënaqur që kemi ardhur këtu për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Shqipëria qëndron shumë lart në axhendën e BE. Ne kemi patur mundësinë të theksojmë këtë mesazh në të gjitha takimet tona me autoritetet shqiptare. Delegacioni i BE i qëndron deklaratës që sapo u prezantua. Në emër të të gjithë misionit të vëzhguesve të misionit ndërkombëtar.

Jemi mjaft të inkurajuar nga rezultatet pozitive dhe ndërmjetësimet politike që kanë çuar në pjesëmarrjen e PD. Dëshirojmë që rezultati të njihet nga të gjitha partitë politike, e cila është kyçe. Parlamenti Europian mbështet plotësisht kërkesën e Shqipërisë për hyrjen në BE. Qeveria e re të mund të bëjë progres që të gjitha reformat që nevojiten për BE të jenë të respektuara”

, u shpreh eurodeputeti Kukan.

I pyetur nga gazetarët se si i komenton deklaratat e Ilir Metës gjatë fushatës elektorale të LSI dhe gjatë ditës së djeshme të votimeve, Kukan u shpreh:

“Z.Meta është zgjedhur president nga shumica konstitucionale dhe do përgjigjem që në vende të tjera presidenti nuk është anëtar partie për shkak  se duhet të kryejë objektivat e tij karshi gjithë qytetarëve të vendit, prandaj përgjigjen edhe mund ta gjeni…”

.

/tvklan.al