Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini është gjendur në Sofje përballë revoltës së eurodeputetit  rumun Viktor Boshtinaru, i cili ka deklaruar se tashmë fjalët nuk mjaftojnë dhe koha nuk pret për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, në një kohë që fuqi të tjera po ushtrojnë presion mbi rajonin duke nënkuptuar Rusinë dhe Turqinë. Të dy shtetet, Shqipëria dhe Maqedonia, sipas eurodeputetit Boshtinaru duhen vlerësuar për rolin pozitiv që kanë luajtur në zhvillimet në rajon.

Në përgjigjen e saj, Mogherini ka shprehur bindjen personale që në Qershor Shqipëria dhe Maqedonia do të nisin bisedimet e anëtarsimit në BE. Madje Mogherini ka deklaruar se këto dy shtete mund të anëtarësohen në familje brenda vitit 2025 nëse ecin në ritmin e reformave të kërkuara.

“Përsa i përket vitit 2025, nuk është një afat apo target, por një prespektivë e besueshme. Kjo kohë e mundshme anëtarësimi është e vlefshme jo vetëm për të dy shtetet të cilët aktualisht janë në diskutimin e kapitujve të negocimit, por edhe për të dy shtetet e tjera që mund të hapin negociatat në muajt në vijim. Personalisht besoj se negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë do të nisin në fund të presidencës bullgare të BE-së”.

Shqipëria dhe Mali i Zi janë vlerësuar nga Brukseli edhe për rreshtimin e tyre 100 përqind në krah të politikës së jashtme të BE-së, duke aplikuar sanksionet ndaj Rusisë, gjë që nuk ka ndodhur me shtetet e tjera të rajonit.

Klan Plus