grekuri

Ministri i ri i Financave të Greqisë, Euklid Cakalotos paraqiti disa propozime, por jo një plan të shkruar në takimin e Ministrave të Financave të Eurozonës. Mediat ndërkombëtare shkruajtën se disa prej mendimeve të Cakalotos ishin hedhur në një bllok hoteli. Shefi i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, tha pas takimit që u zhvillua në Bruksel se ka mbetur shumë pak kohë.

Jeroen Dijsselbloem – Kreu i Eurogrupit: “Greqia po planifikon të bëjë një kërkesë zyrtare për ndihmë përmes Mekanizmit të Stabilitetit Europian, sa më shpejt të vijë, shpresojmë nesër në mëngjes, do të zhvillojmë një tjetër konferencë telefonike të Eurogrupit, për të nisur zyrtarisht procesin e vlerësimit të kërkesës. Do t’i kërkoj institucioneve të shikojnë situatën në Greqi, nevojat për financim dhe qëndrueshmërinë e borxhit. Këto do të na kthejnë një përgjigje dhe do të shohim nëse mund të nisim negociatat”.

Sipas një burimi të qeverisë greke, të cituar nga BBC të mërkurën, Kryeministri grek, Aleksis Cipras do t’i drejtohet Parlamentit Europian. Një burim i cituar nga Agjencia e Lajmeve Reuters tha se ata do t’i paraqesin propozimet e reja të mërkurën.

Në këtë situatë të vështirë, pas takimit pa rezultat të Ministrave të Eurozonës, një prej zyrtarëve europianë tha se nëse ata do të paraqesin diçka zyrtare nesër, atëherë kush nuk do ta lexojë?

Më herët Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker u tha deputetëve europianë në Strasburg se dalja e Greqisë nga Eurozona duhet të shmanget, duke shtuar se, ka nga ata që po kërkojnë të kundërtën, pa përmendur emrat e shteteve që e mbështesin këtë tezë.

Kryeministri grek kërkon një reduktim me 30 % të borxhit dhe zgjatjen e kohës së shlyerjes në 20 vjet.

Tv Klan