1

Ekonomia shqiptare po rrit imunitetin përballë rreziqeve që i vijnë nga jashtë, por megjithatë mbetet e ekspozuar nga ndikimet që vijnë nga ekonomitë e dy vendeve fqinje, Italia e Greqia.

Portali Euromoney që merr në analizë riskun financiar dhe politik të vendeve në zhvillim e ngjit Shqipërinë me 6 vende në listën e shteteve që kërcënohen nga risku financiar i ekonomive të tjera.

Vendi ynë ndodhet aktualisht në grupin e fundit, atë të pestë, përsa i përket performancës ekonomike dhe nga ky portal vlerësohet me 35.8 pikë nga 100 pikë maksimale.

Perspektiva është që Shqipëria t’iu bashkangjitet vendeve të grupit të katërt, me të cilët e ndan vetëm një gjysmë pike nga vlerësimi aktual, çka nënkupton një vlerësim më të mirë të kreditimit, që mund të arrijë notën BB+. Analistja ekonomike e Grupit Bankar të Pireut Dimitria Rostika beson se “perspektiva e Eurozonës ka përmirësuar deri në një farë pike ndjesinë që rrethon Shqipërinë”. “Ato që luajnë një rol të rëndësishëm janë reformat  domethënëse të dy viteve të kaluara” – thotë ajo.

Këtu përfshihen detyrat e vështira dhe të përmbushura pjesërisht të pastrimit të kredive me probleme që rëndojnë mbi sektorin bankar dhe një nisje ambicioze e reformës në sektorin e energjisë.

Shlyerja e borxheve të qeverisë me asistencën e FMN-së është një pikë kyçe. Portali thotë se ka ende një rrugë të gjatë drejt arritjes së një rritjeje të fortë dhe të qëndrueshme pavarësisht nxitjes së politikave monetare që promovojnë rritjen e kreditimit.

Tv Klan