Skënderbeu nuk arriti të befasonte Dinamo në Kiev, duke humbur takimin e parë në grupet e Europa League. Ekipi korçar u mund 3 – 1 nga kundërshtari më i fortë në një sfidë ku shfaqi më shumë dëshirë në pjesën e parë. Takimi nisi me lojtarët e Dinamo më të rrezikshëm, por futbollistët e Skënderbeut nuk qëndruan vetëm në mbrojte. Përpjekjet u shpërblyen në minutën e 39’. Muzaka përfitoi  nga një pasim i Sowe për të shënuar golin e avantazhit të përkohshëm.

Mesfushori 32-vjeçar e dërgoi topin atje ku Koval nuk mund të arrinte. Përmbysja erdhi në pjesën e dytë. Lojtarëve të Dinamo Kiev iu deshën pak kohë për të festuar avantazhin. Kapiteni Sydorchuk dhe Junior Moraes përfituan nga pakujdesitë e mbrojtësve të Skënderbeut, duke realizuar dy herë brenda 5 minutave. Loja e vendasve vendosi në vështirësi prapavijën e korçarëve që shkaktuan një 11-metërsh në mesin e pjesës së dytë. Mbokani shfrytëzoi këtë mundësi duke realizuar golin e tretë edhe pse Shehi bëri të pamundurën për ta shmangur.

Ndryshimet e kryera në formacion nga trajneri Ilir Daja i dhanë më gjallëri lojës. Gavazaj dhe Sahiti krijuan aksione të rrezikshme, por pa mundur të gjejnë golin. Pas kësaj humbje Skënderbeu renditet në vendin e fundit në Grupin B, pasi përballja tjetër Young Boys – Partizan Beograd përfundoi në barazim 1 – 1.

Young Boys do të jetë kundërshtari i radhës për Skënderbeun më 28 shtator në “Elbasan Arena”.   

Tv Klan